Laçi vazhdon afrimet në merkaton e janarit, firmos edhe Ansi Nika
Skuadra e Laçit është ndër më aktivet në këto ditë të para të merkatos së janarit. Kurbinasit, pasi kanë afruar Bledar Sinellën në postin e trajnerit, kanë filluar të afrojnë edhe disa lojtarë me të cilët shpresojnë që të kenë më të thjeshtë të sigurojnë objektivin minimal të këtij sezoni, mbijetesën në Superiore.
Për ta bërë një gjë të tillë, kurbinasit kanë menduar të përforcojnë fazën ofensive dhe fillimisht kanë arritur akordin me Erjon Vucajn, i cili ka hedhur firmën në kontratën e re me klubin ku në të kaluarën ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit.
Burime pranë klubit tregojnë për “Panorama Sport” se sot është arritur akordi edhe me një tjetër lojtar shumë cilësor, mesfushorin e krahut të djathtë, Ansi Nika, i cili nuk gjeti hapësira te Tirana në këtë edicion dhe u largua nga bardheblutë.
Aktualisht Laçi mban vendin e parafundit në renditjen e Superiores, 2 pikë larg Teutës që gjendet sipër kurbinasve në klasifikim.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"