Lamçe ndërron mendje, Dinamo kërkon sërish mbrojtës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2024 | 9:38

Lamçe ndërron mendje, Dinamo kërkon sërish mbrojtës

Me afrimin e Franko Lamçes, i cili u stërvit me ekipin pas akordit paraprak që kishte arritur me drejtuesit e klubit, Dinamo do të kishte plotësuar kontingjentin për qendrën e mbrojtjes.lamcePor llogaritë janë prishur tashmë, sepse ish-lojtari i Kukësit, për arsye familjare, ka vendosur që të largohet nga Shqipëria. Një lëvizje kjo që i vë sërish drejtuesit e klubit kryeqytetas në kërkim të mbrojtësve, sepse nuk është vetëm qendra. Disa ditë më parë Dinamo afroi kroatin Mateo Muzek, i cili është bashkuar me dy qendërmbrojtësit e sezonit të fundit, Rustem Hoxhën dhe Stivian Jankun.

Tani kërkohet edhe një lojtar për këtë pozicion, që do të marrë vendin e lënë bosh nga Lamçe. Në qendër të mbrojtjes mund të luajë edhe Bruno Dita, ndërkohë që në provë është edhe lezhjani Gjikola. Përveç qendrës, blutë duan të forcojnë edhe krahët e prapavijës, ku aktualisht kanë titullarët, por jo dubluesit e tyre. Për krahun e djathtë kandidat është Bekim Maliqi, i aktivizuar me Erzenin në Superiore, ndërsa për të majtin ra poshtë pista e Faton Xhemajlit, për shkak se ai nuk kishte pasaportë shqiptare.

MERKATO – Së fundi klubi kryeqytetas ka zyrtarizuar dy lojtarë të rinj 19-vjeçarë, Adrian Doçin dhe gabonezin Jordi Ella, i pari mesfushor dhe i dyti sulmues krahu. Janë afrime që i shërbejnë edhe së ardhmes së klubit blu dhe që e çojnë në 7 numrin e përforcimeve deri tani, pas Ditës, Teqjas, Qardakut, Mandelës dhe Muzek. Dinamo ka në plan edhe disa goditje të tjera. Priten lojtarë që bëjnë diferencën për të forcuar mesfushën dhe sulmin, por ende nuk ka emra konkretë dhe ndoshta këto goditje do të bëhen pasi skuadra të zhvendoset në Itali, ku do të stërvitet për tri javë dhe do të zhvillojë disa ndeshje miqësore në vendin fqinj. Klubi ka gati listën me lojtarët që do të udhëtojnë në fundjavë drejt Italisë dhe këto ditë mund të ketë lëvizje të reja sa i takon merkatos.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"