Largohen Dosti dhe Çyrbja, Kukësi merr Nikën
Ka përfunduar që në nisje aventura e dy durrsakëve të Teutës për një debutim të mundshëm te Kukësi në Ligën e Europës. Nga dje, mesfushorët Albi Dosti dhe Arbër Çyrbja nuk janë më pjesë e skuadrës veriore. Lojtarët kanë lënë Ohrin që pardje, duke u kthyer në Durrës, për shkak se klubi i Teutës nuk i ka lëshuar, duke qenë se janë nën kontratë me durrsakët. Në sistemin e federimeve të FSHF-së, Dosti dhe Çyrbja, si shumë lojtarë të tjerë të Teutës, kanë të rinovuar kontratën, kështu që aktivizimi me Kukësin mbetet vetëm një dëshirë. Mirëpo, nuk ishte e thënë që Kukësi të mos bënte pjesë të saj për Europën një lojtar nga Teuta. Kështu, dje u konfirmua si afrim për ndeshjet europiane mesfushori Ansi Nika. Shkodrani ka rinovuar kontratën me durrsakët, por tani do të luajë si i huazuar te Kukësi. Dje lojtari i është bashkuar skuadrës veriore në Ohër dhe stafi teknik e ka mirëpritur ardhjen e tij, teksa shikohet si zëvendësuesi ideal i Gerhard Prognit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"