Largohen jabanxhinjtë, tani Shkumbini duhet ribërë
Futbollistët jabanxhinj që kanë qenë pjesë e Shkumbinit gjatë fazës së dytë janë larguar përfundimisht. Lajmin e konfirmojnë drejtuesit e klubit, të cilët pohojnë faktin se këta futbollistë i kanë mbaruar detyrimet kontraktuale me skuadrën. “Ndeshja me Luftëtarin ka qenë angazhimi i fundit i futbollistëve jabanxhinj, të cilët kanë qenë pjesë e skuadrës sonë dhe sipas kushteve të kontratës ata tashmë janë të lirë të vendosin të ardhmen e tyre për sezonin e ri”, – pohuan burimet në klubin peqinas. Gjatë fazës së dytë, lojtarët nga rrethet që janë aktivizuar te Shkumbini kanë qenë portieri Elvis Kotorri, mesfushorët Isidor Sekseni, Mirel Duka, Emiljano Musta dhe sulmuesi Vangjel Mile. Ndërsa vendësit shihen si pjesë e projektit për sezonin e ri, pasi skuadra peqinase do të luajë në Kategorinë e Parë. Mësohet se brenda pak ditësh pritet që të mblidhet bordi drejtues i klubit, ku do të organizohet një takim ndërmjet drejtuesve të Shkumbinit me ata vendorë për të përcaktuar qartë projektin për sezonin e ri futbollistik. Shkumbini rikthehet në Kategorinë e Parë pas plot 19 vitesh pjesëmarrje në Superiore, por shpreson që të rikthehet shumë shpejt në elitën e futbollit shqiptar. Ndërkaq, futbollistët janë lënë pushim dhe do të presin që të lajmërohen nga drejtuesit e klubit për të rinisur përgatitjet.
Fatmir Ahmeti