Largohet Babasi, gati të drejtojë Refik Halili. Tirana kërkon Isli Hidin dhe Meglid Mihanin
Ndriçim Babasi largohet nga drejtimi i Tiranës. Sponsori i bardhebluve që prej ditës së djeshme nuk do të jetë më në krye të skuadrës. Ky vendim është marrë gjatë pasdites së djeshme, fill pas një takimi që donatori ka pasur me numrin një të bashkisë, Lulzim Basha. Pasi kanë diskutuar mbi ecurinë e ekipit, u vendos që ai të mos ketë më rol vendimmarrës në krye të bardhebluve dhe gjasat janë që “çelësat” t’i kalojnë dikujt tjetër. Në vend të tij, kryetari i bashkisë – njëherësh edhe president i KF Tirana – mund të emërojë donatorin tjetër, ish-presidentin Refik Halili, por nuk përjashtohet as Lutfi Nuri, edhe ky një ish-donator dhe ish-president i këtij klubi. Kujtojmë që “Panorama Sport” e pat paralajmëruar një gjë të tillë, më 9 dhjetor, kur shkruante që Babasi ishte drejt largimit. Gjasat janë që donatori, i cili u afrua në gusht të këtij viti, pritet të rikthehet në të njëjtin pozicion që ka pasur edhe më parë, pra si një sponsor i thjeshtë, por duke mos pasur asnjë mundësi që të marrë vendime mbi Tiranën. Të dhënat e fundit dëshmojnë se Nuri ose Halili mund të marrin drejtimin e kësaj skuadre, ku natyrisht do të financojnë. Kjo lëvizje po bëhet edhe për t’i dhënë një shtysë skuadrës dhe shpresë për mbijetesë, duke qenë se Tirana gjendet në vendin e fundit të renditjes, që prej javës së 16-të të Superiores. Sakaq, pas këtij ndryshimi, pritet që drejtuesi ose drejtuesit e rinj të nisin menjëherë nga merkatoja, me qëllim që minimalisht të mos rrezikohet rënia (do të ishte për herë të parë në histori) një kategori më poshtë.
Konfirmimi Ndërkohë, vetë Babasi e konfirmon për gazetën se nuk do të jetë më në krye të kësaj skuadre në vazhdim. “Po, unë nuk do të jem më pjesë e Tiranës në vazhdim. Pas disa muajve në krye të këtij klubi dhe financimeve të bëra, u mor një vendim i tillë. Pasi u takova me kryetarin Basha, u zyrtarizua kjo gjë. E di që ndoshta Nuri dhe Halili mund ta marrin këtë detyrë, pasi vetë ata kanë shprehur dëshirën që të jenë në krye të këtij klubi”, – u shpreh Babasi në deklaratën e tij të fundit si drejtuesi i Tiranës.
Merkato, klubi nis bisedimet me Isli Hidin dhe Meglid Mihanin
Tirana do të publikojë sot zyrtarisht emrat që synon në merkato. Një takim mes drejtuesve të klubit dhe Maganit pritet që të vendosë pikat mbi “i” sa i përket afrimeve. Fjala e fundit i takon pa dyshim trajnerit. Është pikërisht ai që do ta përpilojë listën sipas dëshirave të tij. Megjithatë, burime të sigurta zbulojnë për “Panorama Sport” emra që janë në planet e bardhebluve. Isli Hidi dhe Meglid Mihani janë dy ndër lojtarët e fundit që dalin në skenë për kryeqytetasit. Me të dy mësohet se ka pasur kontakte, porse ende nuk u është bërë asnjë ofertë zyrtare. Gjë që është shtyrë për ditët në vazhdim, kur pritet që të takohen dhe të bisedojnë ndoshta edhe për detaje të tjera, gjithnjë nëse arrihet ndonjë marrëveshje mes palëve.
Hidi – Isli Hidi është një tjetër “ish”, kandidat për portën e bardhebluve. Drejtuesit e kanë shprehur hapur se prioriteti i tyre për katërkëndorin është Ilion Lika. Mirëpo duke qenë se Kastrioti nuk ka ndërmend ta lëshojë, ky fakt mund t’ua komplikojë punët drejtuesve kryeqytetas. Por, nëse transferimi i tij nga Kruja drejt Tiranës nuk realizohet, atëherë klubi ka gati një plan “B”, pikërisht Hidin. Është një emër jo i panjohur për kampin bardheblu, pasi karrierën e ka nisur pikërisht te ky klub. Ka luajtur jo pak, por 9 sezone radhazi, duke filluar nga viti 1998 e deri më 2007-ën. Dhe jo vetëm kaq, sepse ish-portieri i Kombëtares, i cili aktualisht luan për llogari të Apollon Limasolit në Qipro, ka pasur kontakte me Tiranën edhe gjatë verës. Por asokohe akordi nuk u arrit.
Mihani – Mesfushori i Lushnjës është një tjetër emër që preferohet prej bardhebluve. Meglid Mihani mësohet se i ka nisur tashmë bisedimet, ndonëse përciptas dhe pa u futur në detaje. Fakti që në Lushnjë e ardhmja është e pasigurt si pasojë e mungesës së financave, mund të detyrojë disa elementë që të largohen. Dhe sigurisht bardheblutë do të përfitojnë që të marrin ndonjë futbollist, siç është rasti i Mihanit, i cili spikat për lojën e tij dhe sidomos për goditjet nga distanca. Gjithsesi, koha e zyrtarizimeve është akoma e largët, meqenëse bisedimet konkrete do të nisin vetëm duke filluar nga kjo javë.
Basha kërkon bilancin e borxheve të bardhebluve
Kryebashkiaku Lulzim Basha ka kërkuar prej Tiranës listën e borxheve. Pak ditë më parë, zyrtarëve të klubit u është komunikuar se duhet të përgatisin një bilanc zyrtar për detyrimet e papaguara kundrejt ish-lojtarëve. Sikundër e pranoi edhe para mediave, numri një i bashkisë, njëherësh edhe i klubit të Tiranës, ka premtuar se skuadra do të ringrihet. Dhe, një ndër hapat e parë, është pikërisht shlyerja e borxheve dhe evitimi i penaliteteve. Futbollistë, që tashmë me vendim të FIFA-s apo gjykatave, kanë fituar gjyqet e tyre. Në fakt, presioni më i madh vjen prej ndërkombëtarëve, të cilët kanë paralajmëruar kryeqytetasit se duhet t’i shlyejnë sa më shpejt të jetë e mundur këta futbollistë, në të kundërt rrezikojnë pikët. Momentalisht Tirana i ka borxh Rudi Vatës 75 mijë dollarë rroga të papaguara, kur luante me këtë ekip në 2002-shin; klubit hungarez Debreçen, 30 mijë euro për kontratën e huazimit të lojtarit të vet Etogo; Kamerun Heplesit, 55 mijë dollarë nga kontrata që firmosi me bardheblutë; Gvozdenoviçit, 13.400 euro rroga të papaguara kur luante për Tiranën; Pero Pejiçit, 9000 euro rroga të papaguara; Mlladen Zizoviçit, 9.900 euro dhe Daniel Xhafajt 12 milionë lekë. Por, veç këtyre, ka edhe të tjerë që ndoshta nuk janë bërë publikë. Në kushte të tilla, Tirana e ka “lakun në fyt” dhe është e detyruar sa më shpejt që t’i shlyejë këto borxhe, pasi vendimet e ndërkombëtarëve këtë herë nuk mund të vonojnë.
Sytë në Rumani për një sulmues
Pas “divorcit” me Jovanoviç, Gerc dhe së fundmi me Semedon, Tirana ka pak alternativa për sulmin. Kanë mbetur vetëm Çota, Sorra dhe Hoxha, lojtarë të gatshëm për këtë repart, por klubi kërkon me çdo kusht dy të tjerë. Mësohet se një opsion vjen nga Rumania, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Megjithatë, klubi për të gjetur të duhurin është i gatshëm të shpenzojë jo pak, madje ka vendosur edhe një kuotë. Deri në 100 milionë mund të ofrojnë drejtuesit bardheblu për atë lojtar të vijës së parë, i cili do të garantojë golat. Kriza e këtij reparti, që në 12 javë janë shënuar vetëm 4 gola, ka bërë që drejtuesit të vihen në kërkim të një “makinerie” golash.
Donatorët e rinj, Magani rrezikon
Ndryshimet e ndodhura në krye të Tiranës pritet të sjellin lëvizje edhe në pankinë. Donatorët e rinj mësohet se kanë preferenca të tjera dhe në këto kushte trajneri aktual, Gugash Magani, rrezikon jo pak. Megjithatë, vetëm pasi të zyrtarizohen krerët e rinj të bardhebluve, të cilët do të kenë edhe rol vendimmarrës, do të qartësohet edhe kjo pjesë. Tekniku peqinas ka ardhur në krye të skuadrës më 1 dhjetor dhe deri më tani e ka drejtuar skuadrën në tri ndeshje në kampionat dhe dy në kupë. Kujtojmë që në 16 javë kampionat Tirana ka ndryshuar tre trajnerë, teksa sezonin e nisi me Deden, për të kaluar me radhë te Gallo e Bulku. Magani është trajneri i katërt në pankinë.
ADELA MERKO