LËVIZJET/ Poçetino te Njukasëlli nëse Hau zëvendëson Garet Sauthgejtin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2024 | 19:02

LËVIZJET/ Poçetino te Njukasëlli nëse Hau zëvendëson Garet Sauthgejtin

Njukasëlli thuhet se do t’i afrohet Mauricio Poçetinos për t’u bërë trajneri i tyre i ardhshëm nëse Edi Hau vendos të pranojë punën si trajner i Anglisë. Hau besohet të jetë objektivi numër 1 i Federatës Angleze për të zëvendësuar Garet Sauthgejtin pas agonisë së “tre luanëve” në “Euro 2024”.

pocetino

Në të vërtetë, ai kryeson një listë të ngushtë me kandidatë si Graham Poter, trajneri aktual U-21, Li Karslej dhe Poçetino. Siç raportohet nga “Mail Sport”, Hau, 46 vjeç, paralajmëroi se duhet të jetë i kënaqur me kushtet e punës në “St James’ Park” në një mesazh të dukshëm që lëshoi për hierarkinë e klubit. Ai gjithashtu tha se duhet të jetë “i lirë” për të bërë punën në mënyrën që dëshiron nën një strukturë me pamje të re.

Sipas “The Mirror”, Hau është i ndarë mes mundësisë për të menaxhuar vendin e tij, e cila është një ambicie e përjetshme dhe qëndrimit në Njukasëll. Thuhet se “Magpies” kërkojnë një përgjigje të shpejtë për shkak të kohës së shkurtër që mbetet nëse do duhet të negocionin për Poçetinon. Ish-trajneri i Çelsit dhe Totenhemit, Poçetino, mbetet pa një skuadër dhe kuptohet se ai është i hapur ndaj mundësisë për të drejtuar një ekip kombëtar. Ndërsa Hau ka humbur dy nga aleatët e tij më të ngushtë në klub, pasi Amanda Stejvli dhe Mehrdad Ghodusi u larguan nga “qymyrxhinjtë” dhe shitën aksionet e tyre.

Pol Miwell, i vendosur si drejtori i ri sportiv i Njukasëllit këtë verë, ishte njeriu përgjegjës që solli për herë të parë Poçetinon në Premier Ligë, pasi kishte punësuar trajnerin e panjohur në atë kohë te Sauthemptoni kur mbulonte rolin e tij si shefi i rekrutimeve. Ata punuan së bashku edhe gjatë qëndrimeve të tyre përkatëse te Totenhemi. Miwell është i vetëdijshëm për interesin për Poçetinon nga shumë skuadra të tjera dhe për këtë arsye do të duhet të lëvizë shpejt për ta siguruar atë sipas “The Mirror”. Të premten, Hau iu përgjigj për herë të parë pyetjeve rreth të qenit favorit për të pasuar Sauthgejtin si trajner i Anglisë, por tha se ishte i përkushtuar ndaj Njukasëllit.

Megjithatë, ai specifikoi se do të qëndronte vetëm nëse ndihej i mbështetur nga hierarkia. “Për sa kohë që jam i lumtur, ndihem i mbështetur, ndihem i lirë të punoj në mënyrën si dua të punoj, nuk kam menduar për asgjë tjetër përveç Njukasëllit”, tha Hau. “Unë e dua absolutisht klubin, i dua tifozët, më pëlqen ku jam në karrierën time. Nuk ka vend më të mirë për mua. Kështu ndihem. Ky ka qenë gjithmonë shtytësi im kryesor, lumturia dhe aftësia ime për të bërë punën time. Unë absolutisht dua të qëndroj, por duhet të jetë kështu për mua dhe klubin.

Nuk ka absolutisht asnjë kuptim që unë të them se jam i lumtur të qëndroj në Njukasëll nëse dinamika nuk është e duhura. Sigurisht që nuk do t’i shërbej mirë Njukasëllit nëse e bëj këtë. Si një ekip i ri që po bashkohet në staf, ne duhet të vendosim kufij. Ne duhet të shohim nëse mund të punojmë së bashku në një mënyrë të rrjedhshme, dinamike për të mirën e Njukasëllit. Ka pasur shumë ndryshime në klub këtë verë. Ka qenë një verë shumë e vështirë për të gjithë ata që janë të lidhur me klubin”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"