Lideri i ri i Holandës, Gakpo: Vuajtëm këtë javë, treguam veten

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2024 | 10:50

Lideri i ri i Holandës, Gakpo: Vuajtëm këtë javë, treguam veten

Kodi Gakpo ishte heroi i Holandës në ndeshjen kundër Rumanisë që i hapi rrugën fitores me golin e parë dhe asistoi të dytin për Malen. Ky i fundit shënoi dy gola, por për “UEFA”-n, futbollisti më i mirë i ndeshjes u zgjodh lojtari i Liverpulit.

gakpo

Menjëherë pas sfidës ai tregoi emocionet e kësaj fitoreje, por edhe të golit të realizuar. Në total Gakpo ka arritur të shënojë 3 gola në këtë Europian duke spikatur jo vetëm tek Holanda, por në të gjithë kompeticionin.

GOLI- “Është gjithmonë bukur të shënosh, për më tepër kur shënon golin e parë të ndeshjes dhe që largon të gjithë tensionin që mund të ketë skuadra. Ne shënuam shpejt dhe pastaj e dominuam ndeshjen. Jam i lumtur për këtë performancë. Ndoshta tifozët në shtëpi apo në tribuna kishin atë frikën se mund të na ikte nga duart kjo sfidë. Nuk patëm kurrë ndjesinë në fushën e lojës që Rumania mund të shënonte golin e barazimit, por ne po e kërkonim me ngulm të dytin. E vonuam pak, por i tillë është futbolli”.

REAGIMI- “Ishte një ndeshje e mirë nga e gjithë skuadra. Ndonjëherë kemi luajtur futboll, por nuk kemi fituar. Ndaj Rumanisë luajtëm mirë dhe gjithashtu arritëm të fitonim. Ishte përgjigjja e duhur për humbjen e ndeshjes së mëparshme ndaj Austrisë. Megjithatë ka gjithmonë vend për përmirësim sepse ndeshjet sa vijnë dhe bëhen më të vështira. Duhet patjetër që të jemi më të saktë përpara portës kundërshtare. Ky ishte reagimi që kishim në mendje gjatë gjithë këtyre ditëve. Ia dolëm dhe jam shumë i lumtur”.

ASISTI- “Besova deri në fund se mund ta mbërrija atë top dhe luftova për ta pasuar. Ky është shpirti i sakrificës që duhet të ketë skuadra gjithmonë. Jam i lumtur edhe për asistin që i dhashë Malenit”.

JAVA- “Nuk ka qenë aspak javë e qetë. Po prisnim me padurim ndeshjen që të tregonim veten në fushën e lojës. Numëronim ditët që kjo sfidë të vinte sa më shpejt. Kishim folur me njëri-tjetrin për të qenë agresivë dhe për të bërë gjithçka siç duhet në mënyrë që të vazhdonim rrugën në këtë Europian”.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"