Lika dhe Dushku do firmosin pas zgjedhjeve me Flamurtarin, dje patën takim me Gjokën
Ilion Lika dhe Erjon Dushku do të firmosin pas zgjedhjeve. Ata kanë zhvilluar dje një takim me trajnerin e Flamurtarit, Ernest Gjoka, i cili i kthyer nga Vlora është ulur në bisedime me të dy. Nga sa mësohet, në këtë takim, Gjoka u ka përcjellë edhe porositë e presidentit Shpëtim Gjika, sipas të cilit lojtarët duhet të presin të përfundojnë zgjedhjet e më pas do të ulet me ta për të firmosur, pasi në parim marrëveshja është arritur. Presidenti Gjika nëpërmjet trajnerit Gjoka u ka kërkuar futbollistëve që të presin dhe se pas zgjedhjeve do të thirren në Vlorë për të firmosur. Një fakt i tillë është konfirmuar edhe nga vetë portieri Ilion Lika, i cili në një bisedë për “Panorama Sport” ka thënë: “Unë e kam mbyllur gjithçka me Flamurtarin, pasi kemi rënë parimisht dakord. Sapo pata edhe një komunikim me trajnerin Gjoka, i cili na tha se duhet të presim të përfundojnë zgjedhjet dhe më pas të ulemi për të firmosur”. Lika thotë se do të kontribuojë te Flamurtari me qëllim që ky ekip të arrijë objektivat e veta dhe të fitojë trofe. “Dëshira ime për të qenë pjesë e Flamurtarit ka qenë e hershme. Gjërat duket se po realizohen. Është fat të punosh në Vlorë me trajnerin Gjoka, por edhe me një njeri të mrekullueshëm si presidenti Gjika. Uroj të arrijmë suksesin, pasi ajo tifozeri e mrekullueshme në Vlorë meriton më shumë”.
Kontrata – Më tej Lika bëri të ditur se pas 27 qershorit ai është lojtar i lirë. “Kam kërkuar të jem i lirë nga Tirana, dhe pas 27 qershorit do të jem vërtet i tillë. Ju e dini se Tirana më ka disa rroga të prapambetura, drejtuesit nuk po reflektojnë, kështu që unë shumë shpejt do ta çoj çështjen në institucionet përkatëse për zgjidhje”. Mirëpo, e njëjta gjë është edhe me mbrojtësin Erjon Dushku. Me lojtarin është arritur akordi dhe pritet vetëm zyrtarizimi nëpërmjet firmës që do të hidhet në kontratë. “Jam në pritje të drejtuesve të Flamurtarit. Presidenti Gjika ka në këto momente angazhime të tjera dhe me të përfunduar ato, do të ulemi për të zyrtarizuar gjithçka”, – u shpreh Dushku, i cili së fundmi ka pasur edhe një ofertë nga presidenti i Skënderbeut, Takaj. Mirëpo duket se Dushku është i vendosur të firmosë me Flamurtarin, aty ku ka edhe njohje me trajnerin Gjoka.
Zeqiri do 100 mijë euro për të firmosur me rumunët
Hair Zeqiri kërkon 100 mijë euro në sezon për të firmosur me ekipin e Poli Timisoara të Rumanisë. Lajmi konfirmohet nga burime pranë lojtarit. Mesfushori vlonjat është nisur dje në drejtim të Rumanisë për të zhvilluar diskutimet në lidhje me transferimin tij në këtë klub. E ndërsa drejtuesit rumunë kërkojnë me insistim shërbimet e lojtarit, ky i fundit u ka vendosur atyre kushte financiare, të cilat nëse plotësohen atëherë ai është i gatshëm të firmosë. Diskutimet në Rumani do të përqendrohen pikërisht rreth kësaj çështje. Nga ana tjetër, është Flamurtari ai që kërkon të ketë në ekip edicionin e ardhshëm Zeqirin. Nga sa mësohet, drejtuesit e Flamurtarit kanë kontaktuar ditët e fundit me lojtarin dhe kanë kërkuar prej tij të qëndrojë te kuqezinjtë. Madje edhe trajneri Gjoka dy ditë më parë u shpreh se jo vetëm Zeqiri, por edhe Veliu janë të paprekshëm. E ardhmja e Zeqirit do të varet nga takimi me rumunët. Ndërkaq, në kampionatin shqiptar ai ka marrë oferta edhe nga Tirana e Kukësi.
Ermal Sika