Lin Shllaku: Ju tregoj “sherrin” me zviceranët për një… top

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2013 | 10:57

Lin Shllaku: Ju tregoj “sherrin” me zviceranët për një… top

Lin ShllakuNga UVIL ZAJMI
17 dhjetor 1967, Shqipëri- Gjermani 0-0. Gazeta “Sporti Popullor” e 19 dhje torit shkruan: SUKSES I MADH I FUTBOLLIT KOMBËTAR. “…Fjalët më të mira në adresë të kapitenit të skuadrës Shllaku, i cili gjatë gjithë ndeshjes luajti në mënyrë të shkëlqyer, u bë shtylla e mbrojtjes dhe nuk mungoi asnjëherë që të jepte kontributin e tij edhe në sulm. Veçanërisht shumë e frytshme ishte shtrirja e lojës në minutat e fundit kur kundërshtari kërkonte rrugën e rrjetës. “Një jetë e filluar nga parashkolla e murgeshave, pasioni për fizarmonikën, zbulimi nga Helepian, pastaj shkëmbimi me të vëllain për të ardhur në Tiranë te Partizani. Ndeshja e paharruar me Levskin e Sofjes, ditën kur në Moskë zhvillohej mbledhja e 81 partive komuniste, deri në takimin e fundit kur e braktisi futbollin pas humbjes së Partizanit 2-1 me Shkëndinë. Vizita mjekësore te mjeku i Toliatit, ndeshja kundër Panos, zëvendësimi historik në Egjipt. Çfarë bën sot njeriu që udhëhoqi Kombëtaren dhe Partizanin për shumë vite, nga qëndrimi disavjeçar në Kavalla deri te rikthimi në Shqipëri dhe jeta familjare me gruan dhe dy djemtë në apartamentin në rrugën “Bardhyl” në Tiranë?
Nga fizarmonika te violinçeli, pastaj me topin e futbollit
Ishte shumë i talentuar dhe kishte prirje për muzikën. I dhanë të studiojë për fizarmonikë dhe në pak kohë filloi ta zotëronte atë. Pastaj e këshilluan të merrej me violinçel, por kanë gabuar. Vegla e madhe e detyroi të mos merrej më me të. Violinçeli nuk ishte për Lin Shllakun dhe pak nga pak u shkëput prej saj, por dhe prej muzikës. Futbolli do të ishte etapa tjetër, por vendimtare, për jetën dhe karrierën sportive të tij. Një jetë e filluar në moshën 3-6 vjeç në parashkollore me murgeshat në Shkodër. Bëhet fjalë për vitet ’40. “Për edukatën murgeshat ishin kaluar nënës, të mësonin si të silleshe me njerëzit, të afërmit, miqtë dhe shokët”, – tregon Shllaku. Një edukatë që e karakterizoi kur luajti: asnjëherë fjalë me arbitrat, drejtuesit, futbollistët apo kundërshtarët. Por, edhe për diçka tjetër thotë: “Sporti në këtë qytet është i lidhur me një fakt të rëndësishëm, kur në vitin 1909, topi i parë i futbollit dhe biçikleta e parë janë sjellë në Shkodër nga Palok Nika. Pastaj të mos harrojmë thënien e famshme:”Një fëmijë nuk është qytetar Shkodre, nëse nuk di të luajë futboll dhe të notojë”. Në Shkodër, ish-futbollisti Ernest Helepian ishte si i nderuari Xhavit Demneri në Tiranë. Shkonte shkollë më shkollë për të gjetur talente, ku e spikati dhe e regjistroi te “Pallati i Pionierëve”. “Ishin fillimvitet ’50 dhe luanim te fusha e vjetër, zakonisht para dhe në pushim të çdo ndeshjeje kur skuadra e të rriturve të Vllaznisë ndeshej me skuadrat e tjera”, – thotë Shllaku. Pastaj aktivizimi me Uzinën e Fermentimit të Duhanit në Kategorinë e Dytë, deri në qershor të vitit 1954, kur ishte 16 vjeç që luajti për dy vite me “Puna” në Shkodër, skuadër paralele me “Dinamon” e Shkodrës, që më pas u bashkuan.
Profesori i matematikës nuk ka gabuar…!
Edhe ky fakt është i lidhur me fëmijërinë, talentin e tij. Ishte nxënës në shkollën “11 Janari” në Shkodër dhe në pushimin tradicional midis orëve të mësimit, ta pasionuar pas topit, në oborrin e shkollës zhvillohej një garë midis nxënësve, të cilët nga një distancë e përcaktuar, secili prej tyre do të fuste topin në një rreth të vizatuar në murin e shkollës. Kol Ndoja, një mësues i nderuar i Matematikës, dhe njëkohësisht xhaxhai i Paulin Ndojës, qëndronte te dritarja e shkollës, kur ne nxënësit merrnim shenjë me top një rreth në mur. Unë isha shumë i saktë, por nuk e dija se mësuesi na ndiqte me shumë vëmendje. Pas shumë vitesh, këtë histori ma ka treguar Paulini. “Askush nuk do të bëhet futbollist i madh si Lin Shllakui,- i pati thënë profesori. Ka një përkushtim të madh ai djalë”. Dhe profesori i Matematikës nuk kishte gabuar!.
Interesimi i gjeneralit, këmbimi më të vëllain dhe gurët e bilardos
Jemi në vitin 1955. Rexhep Spahiu e pëlqen pasi e ka parë në një aktivitet dhe pyet i kujt është ky fëmijë. I thonë se është shkodran, quhet Lin Shllaku dhe vëllanë e ka ushtar në Ansamblin e Ushtrisë në Tiranë si muzikant. Pa humbur kohë, Spahiu i tregon gjeneral Petrit Dumes: “Ky muzikanti është vëllai i atij Shllakut që luan në Shkodër”. “Dhe menjëherë drejtuesit i kërkojnë Markut që të më mbushë mendjen duke i dhënë vazhdimisht leje të vinte në Shkodër për këtë qëllim. Por, transferimi për në Tiranë u realizua në festat e nëntorit 1956, kur Marku u lirua nga ushtria dhe u rikthye në Shkodër, pasi nuk mund t’i linim vetëm prindërit, ndërsa unë erdha në Tiranë”, tregon Shllaku. Jo si ushtar se ishte nën 18 vjeç. E caktuan në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, me detyrë që të mblidhte gurët e bilardos.
Karriera, aktivizimi pas dëmtimit të Merjes
Spartakiada kombëtare e vitit 1959. Pesë vjet ka luajtur si sulmues, por në Spartakiadën e parë kombëtare 1959, trajneri Xhep Spahiu e ktheu në mesfushë. Një dëmtim i Gani Merjes, e detyroi atë ta zëvendësonte me Lin Shllakun. Pikërisht, në një ndeshje, ndonëse kohë vere, pasi lojtarët e Partizanit futet në pushim, Gani Merja i kërkon trajnerit që të pushojë, pasi kallot e këmbeve e pengojnë për vazhdimin e lojës. Dhe në vend të tij aktivizohet Lin Shllaku. Ky është moment i startit, pas të cilit edhe pse trajnerët ndryshonin, Shllaku nuk lëvizi më nga formacioni, duke u konsoliduar në këtë pozicion si te Partizani, ashtu edhe në Kombëtare, duke luajtur gjithmonë në mesfushë me numrin 6. Ndeshja e parë zyrtare vjen kur një skuadër polake “Oderopole” luan një turne miqësor. Tri takime të programuara në muajin nëntor. Në Vlorë ndeshja e parë 3-0 për polakët, pastaj në Kavajë sërish fitojnë 3-1 ata dhe takimi i tretë në Korçë ndaj Skënderbeut, që kishte marrë përforcim Jonuz Telitin, Stavri Lubonjën dhe Lin Shllakun. Gazetari Prokop Koreta shkruan: “Ç’na i sollën këtë? Ishte krejtësisht i panjohur, por ishte më i miri në fushë. Ndeshja u fitua 3-1 nga Skënderbeu dhe sërish Prokop Koreta shkruan: “Nga na dole Shllaku, bre”? Specialist për goditje ballore dhe goditës i mirë me dy këmbë, aftësi për të administruar lojën, transmetonte siguri dhe qetësi te skuadra, shumë autoritar në fushë, kanë qenë disa nga cilësitë e tij. Do të ishte përsëri trajneri Rexhep Spahiu që i dha shiritin e kapitenit te Partizani, duke e zëvendësuar Miço Papallopullin, ndërsa në ekipin kombëtar shiritin e ka marrë nga Fatbardh Deliallisi në Zvicër, në ndeshjen e vitit 1965. Zhvilloi 15 ndeshje me ekipin kombëtar për t’ia lënë stafetën e kapitenit Panajot Panos. Jo vetëm në kombëtare, por edhe te Partizani.
Ndeshja me Levskin ditën e mbledhjes së 81 partive
Pranverë e vitit 1961. Në Moskë zhvillohej mbledhja e 81 partive komuniste, ndërsa në Tiranë Partizani do të luajë në “Qemal Stafa” për Kupën Ballkanike me skuadrën bullgare Levski të Sofjes. Nisur nga situata e tensionuar politike, Partizanit i kërkohet të marrë një rezultat pozitiv, madje presioni nga pushtetarët e kohës ishte shumë i madh ndaj futbollistëve, të cilëve iu kërkua që detyrimisht takimi duhet të fitohet, pasi bullgarët ishin pro rusëve. 90 minuta të vështira, të elektrizuara politikisht dhe ndeshja përfundoi 2-0 për Partizanin.
Me Këlnin, Masopusti shqiptar dhe oferta nga gjermanët
1964. Ka qenë dhe mbetet njëra nga ndeshjet më të bukura dhe të veçanta që ka zhvilluar në karrierë ajo në Këln ndaj Overatit në Kupën e Kampioneve. Para takimit, në hollin e hotelit, një shqiptar kërkon ta takojë, ndërsa një tjetër e priste jashtë. Ishin shkodranë të arratisur. “Sa vetura ke, sa shtëpi ke? Ta kisha djalin futbollist si ti do të ishte milioner. Pse nuk qëndron këtu? Ishin ato pak pyetje që më bëri shqiptari të cilin nuk e njihja. Lëri këto muhabete se dëgjojnë edhe muret, – i thashë, – më mjafton biçikleta që kam në Shqipëri dhe u shkëputa prej tij”. Pas takimit në Këln, specialistët më vlerësuan shumë: “Te Shllaku pamë Masopustin e dytë shqiptar”. Dhe nuk harron një detaj, ofertën e Dinamos: Kur mbaroi ushtrinë, dëshironte të qëndronte te Partizani, por i duhej një shtëpi. Ndërsa ishte në këto tentativa, i vjen një ofertë nga klubi i Dinamos që i garantonte gjithçka. Por, ishte gjeneral Petrit Dume, që pasi u informua për situatën, dha urdhër për ta sistemuar. I siguruan shtëpi pranë Shkollës së Bashkuar, ku u vendos bashkë me familjen.
Ndeshja kundër Panos
Për Lin Shllakun ka qenë ndeshja më e vështirë e karrierës së tij. Të luash kundër Panos, shokut, mikut në skuadër, por edhe lojtarit më të mirë, ishte e pamundur. Viti 1962, Dinamo do të luajë në Kupën Ballkanike kundër Fenerbahçes dhe për përforcim ka marrë Panon e Ndinin nga Partizani. Në mesjavë do të zhvillohej takimi Dinamo-Partizani për Kupën e Republikës dhe Pano do të luante me Dinamon (pas pak ditësh zhvillohej takimi me turqit). Në vështirësi, dhe jo me dëshirë për ta luajtur këtë sfidë ku i binte si detyrë të mbulonte Panon, Shllaku nuk aktivizohet të shtunën për arsye private dhe Partizani humbet 1-0 në Kavajë ndaj Besës për kampionat. Një mungesë, gjithmonë për të shmangur përplasjen me Panon të mërkurën, duke tentuar që me këtë pretekst të mos luante edhe të mërkurën. Por jo, kanë urdhër që duhet të jetë në fushë dhe 90 minuta do të mbulojë pikërisht atë: Panon. Ndeshja në “Qemal Stafa”, interesim i madh dhe ajo ka përfunduar 1-0 për Partizanin, por për duelin Shllaku – Pano, pak është folur. Ajo ka qenë edhe arsyeja e vetme që Pano ka luajtur me Dinamon.
Egjipt, pasaporta nga Çarçani dhe autozëvendësimi me Hykën
Skuadra kombëtare ishte caktuar të zhvillonte një turne miqësor në Egjipt. Për arsye shëndetësore, drejtuesit nuk e kishin vënë në listë. Një takim me Adil Çarçanin, ish-kryeministrin e kohës dhe gjatë bisedës me të, i vjen pasaporta për në Egjipt. Kur i tregoi pasaportën, të gjithë mbetën të habitur, pasi askush nuk e kishte marrë. Ishte një turne ku të gjithë donin të shkonin: Katër trajnerë e drejtonin kombëtaren, si Boriçi, Alla, Konçi e Shuke, e bashkë me ta edhe tre përgjegjës, të gjithë donin të vinin në Egjipt. Në ndeshjen e parë kombëtarja mundet nga Demon Her, skuadër e Kategorisë së Dytë, Shllaku nuk u aktivizua. Në Kajro, në ndeshjen e fundit ndaj përfaqësueses së qytetit, sërish në stol. Pjesa e parë 1-0 për vendësit. “Nuk m’u durua dhe pa i thënë askujt, dal në pistë dhe sinjalizoj arbitrin për zëvendësim. Ai ndaloi lojën, dhe unë i bëj me shenjë Skënder Hykës se do ta zëvendësoja. Kam dëgjuar Loron që më tha: ‘Lin, çfarë po bën? Je pa nxehje!’ Jam futur në lojë, kam goditur një shtyllë, i barazuam dhe arritëm të fitonim. Ndërsa po bënim dush, i kam treguar Skënder Hykës të vërtetën e autozëvendësimit, se atë e kisha bërë unë, se doja të luaja dhe ai zëvendësim nuk ishte vendim i trajnerëve”.
Ndeshja me Gjermaninë, rrugëve për bileta
Natyrisht, kulmi i karrierës është ndeshja me RF Gjermane dhe barazimi 0-0 në Tiranë, se për humbjen 6-0 në Gjermani nuk ka koment. Shumë është folur për atë sfidë, por një detaj është lënë në harresë. “Ndërsa lojtarë e trajnerë të skuadrës gjermane pushonin në hotel “Dajti”, futbollistët shqiptarë bridhnim rrugëve për të siguruar bileta. “Më kujtohet se për në tribunë nuk kishin rezervuar bileta për ekipin kombëtar, për vetëm përballë. Vetëm aty mundëm t’i sigurojmë ekipit përfaqësues disa bileta për familjarët e tyre. Dhe kjo pas një ankese nga ana jone dhe një takimi që pata unë si kapiten i ekipit me drejtues partie në Tiranë. Ishin ata që ndërhynë për të na dhënë nga dy bileta ne futbollistëve. Kujtoj se para ndeshjes, Ramiz Alia më pyeti: “Hë Lin, si duket ndeshja sot?”. -Do të na shohësh në fushë” – i thashë. Ndërkohë, analiza e Boriçit nuk ishte e gjatë, por ai u përqendrua te vlerat e kundërshtarit, te vendosja jonë dhe loja në mesfushë: “Të mos lëshojmë mesfushën, – dhe si lëvizje e zgjuar ishte vendosja e Kazanxhiut si një mesfushor mbrojtës, para mbrojtjes. Kazanxhiu ka zhvilluar një nga ndeshjet e tij më të mira”.
Vizita te mjeku i Toliatit në Torino
Funddhjetori 1966 – janar 1967. Lin Shllaku i sëmurë është i bllokuar (kishte marrë një bronshit astmatik), madje mjekët pasi e kanë vizituar i thonë se nuk mund të luajë më futboll. Një kalvar i gjatë rikuperimi, ilaçe, mjekime, pauza stërvitjeje, rikthimi i vështirë, ndeshja me Gjermaninë dhe vjen fundshtatori 1968. I braktis ilaçet, rinis stërvitjen, pak basketboll, pak vrap dhe nga ana shëndetësore fillon të përmirësohet. Ndërkohë Partizani do të zhvillonte ndeshjen e dytë të kthimit me Torinon në Kupën UEFA. Eshtë fundshtatori 1968. Mjeku Paparisto ngulte këmbë se duhet ta braktiste futbollin, pasi me atë diagnozë nuk mund të luante sport. Para takimit të dytë në Itali, mjekët e orientuan të bënte një vizitë më të specializuar në Torino. Palmiro Toliati ishte Sekretari i Partisë Komuniste të Italisë në ato vite. Dhe për ta vizituar e dërguan pikërisht te mjeku personal i tij. Ai e vizitoi gjatë dhe konstatoi se: “Diagnoza e mjekëve shqiptarë është shumë e saktë. Ti nuk duhet të luash më futboll. Nëse ke luajtur deri tani dhe do të vazhdosh të luash, pasojat do t’i kesh më vonë dhe nuk do të jetosh më shumë se 50 vjeç”, – përcaktoi mjeku italian. Por, edhe sot Shllaku e kujton këtë histori e thotë: “E para, jam 75 vjeç dhe jam mirë me shëndet. Por edhe vetë mjekët këtu në Tiranë shpesh më thonë se me rastin tim kam hedhur poshtë edhe vetë shkencën”.
Humbja me Shkëndinë dhe ndarja me futbollit
E la futbollin në viti 1971. Jo për arsye moshe, jo se i mungonte kondicioni fizik, pasioni apo eksperienca. Mund të luante normalisht edhe në vazhdim. Por, ka qenë një humbje, më shumë se e tillë për Lin Shllakun. Eshtë tetor, luhet për kampionat në Tiranë më Shkëndinë e sapodalë. Skuadra e Partizanit zhvillon një ndeshje shumë të dobët dhe djemtë e Shkëndisë fitojnë 2-1. Surprizë e madhe për futbollin shqiptar. “Turp më të madh nuk kishte. I prekur në sedër, pas ndeshjes, kthehem i nervozuar në dhomat e zhveshjes, debatoj me shokët e skuadrës dhe pas këtij momenti marr vendimin për t’u larguar përfundimisht nga futbolli”. Nuk mund të qëndronte më pas asaj humbjeje. Ishte 34 vjeç dhe linte pas një karrierë me 15 kampionate, 7 tituj kampionë e 7 Kupa Republike, medalje argjendi në Lajpcig e Hanoi, fitues i një 1 Kupe Ballkanike me klube dhe 7 vjet kapiten i Partizanit dhe i Kombëtares.
Ardhja e Boloneskut dhe transferimi në klubet e tjera
Pas largimit nga futbolli i luajtur, nisi të aktivizohej si ndihmëstrajner në stafin e Partizanit me Kolec Krajën e Loro Boriçin. Te Partizani erdhi trajner Bolonesku (rumun), të cilin e caktuan të punojë bashkë me Krajën dhe Shllakun. Por shumë shpejt si Krajën e Shllakun i hoqën, pasi ishte dhënë orientimi që duhen ndihmuar skuadrat e tjera. Pra, kuadro, trajnerë e specialistë të shpërndaheshin në klube në të gjithë vendin. Dhe Shllaku mori rrugën për në Lezhë, te Besëlidhja që luante në Kategorinë e Parë. “Në pranverën e vitit 1974 na thirrën për të marrë ekipin e Partizanit e për të hequr Birçen. Nuk pranova dhe u thashë: ‘E keni pritur me lule dhe nuk mund ta hiqni në këtë mënyrë, se ai ka personalitetin e tij’. Por, pas një muaji e larguan nga klubi”, – tregon Shllaku. Në vitin 1975 Partizani merr pjesë në Kupën Ballkanike dhe trajnerë janë: Kolec Kraja e Lin Shllaku. Pak më vonë kthehet nga Kina Loro Boriçi dhe bashkë me të rikthehen te Partizani vetëm një vit, pasi përfundimisht të dy i largojnë nga klubi dhe skuadrën e rimerr Bejkush Birçe. Me Loron takohej shpesh dhe dëshira e përbashkët ishte vetëm një: Sikur edhe një herë të kthehemi te Partizani, do ta bëjmë si ka qenë, e provokonte. Por Loro, tashmë i lodhur, por edhe i zhgënjyer, ishte kundër kësaj ideje. “Partizan si i yni nuk do ta bëjmë dot kurrë”. Kujton që ka stërvitur Shpëtim Duron, Lek Kodhelin, Cikon, që patën një karrierë të njohur sportive.
Pasioni i njohur për breshkat
Dikush më tha se ishte Kina që ia kishte ofruar këtë eksperiencë. Por jo. Pasioni për breshkat e ka zanafillën nga i ati, Nikolla, i cili në vitin 1941 punonte me italianët, por edhe si mjet për t’u kuruar nga bronshiti astmatik, pasi ato kanë veti mbrojtëse ndaj kësaj sëmundjeje. Pastaj, ajo u kultivua më vonë, nga një shok që jetonte në Kombinat. Kur punonte si pedagog i edukimit fizik në Zall Herr, e aplikoi për shumë vite gjetjen, gatimin dhe ushqimin e breshkave. Atje i mblidhte në mënyrë sistematike breshkat që ishin të shumta në fushat përreth repartit. Për çdo javë i gatuante bashkë me ushtarë e oficerë, duke u ofruar të gjithëve një ushqim të veçantë e të rrallë për kohën. Ishte bërë specialist dhe për shumë vite nuk iu nda gjetjes së breshkave, gatimit të tyre, derisa në Zall Herr e përreth kësaj zone nuk mbeti më asnjë breshkë (Kështu thonë me humor miqtë e tij).
Foto e Zvicrës, “beteja” për topin dhe ndëshkimi financiar
Për një sportist, jeta e tij sportive është e lidhur me shumë fakte, ngjarje, momente të bukura, por edhe jo. Aq më shumë për Lin Shllakun. Dhe ajo që na shtyu të kujtojmë, duke lënë pas rastet dhe momentet e veçanta e të rëndësishme të jetës së tij sportive, është kjo foto surprizë edhe për vetë Shllakun. Askush nuk mund ta mendojë se pas takimit tre futbollistë të Kombëtares shqiptare, Lin Shllaku, Skënder Halili dhe Robert Jashari, kërkojnë të marrin për suvenir topin e lojës. Bashkë me ta në këtë “betejë” është edhe portieri i Zvicrës, Shinderholz, dhe midis tyre një polic që kërkon të mbajë rregull. “Më kujtohet ky moment. Është ndeshja në Zvicër më 3 maj 1965, kur unë luaja për herë të parë si kapiten i skuadrës kombëtare. Ishte një ndeshje që e humbëm 1-0 pas një penalltie krejtësisht të paqenë që dha arbitri. Topi u përplas në këmbën e një mbrojtësi shqiptar dhe ndërsa futbollisti vendës po shkonte drejt këndit për goditje këndore, arbitri akordoi një 11-metërsh. Protesta jonë ishte e madhe, por pa mundur ta ndryshojmë vendimin. Pas lojës vjen ky moment që po e shoh për herë të parë tani dhe që po më kujtohet mirë. Ishte një veprim që secili nga ne e kishte menduar më parë, por pa i thënë asgjë njëri-tjetrit. Aq më tepër unë me Bert Jasharin, me të cilin flija në një dhomë. Por më i fortë nga ne doli portieri zviceran, që mundi ta marrë topin. Kam pasur dy kujtime të veçanta nga ndeshjet e zhvilluara: Një stilolaps që ma dhuroi Helmut Shën pas ndeshjes në Gjermani, që e ruaj edhe sot, dhe një fanellë të Irlandës që nuk e kam, pasi e kam dhuruar. Një fanellë dhe një stemë të qëndisur që kishim në fanellë më kushtoi, pasi i pagova kur u ktheva: 1200 lekë fanella dhe 400 lekë stema. Pas takimit na kërkuan të ndërronim fanellat. Fanellën time ia dhashë një futbollisti, ndërsa një tjetri i dhashë stemën e fanellës”, – rrëfen ish-mbrojtësi i famshëm.
Çfarë bën sot Lin Shllaku, nga Kavalla rikthimi në Tiranë në një apartament në rrugën “Bardhyl”
Sot 75 vjeç, bashkë me familjen jeton në një apartament në rrugën “Bardhyl” në Tiranë. Për shumë vite pasi la futbollin, punoi si pedagog i edukimit fizik në Akademinë Ushtarake në Zall Herr. Pas viteve `90-të, për 12 vjet jetoi e punoi bashkë me familjen në Kavalla të Greqisë, ku mundi të shkojë me një vizë që ia siguroi klubi i Vllaznisë. I dhanë një skuadër futbolli, si trajner i Limenas, por duke qenë pikë turistike ky qytet, dy muajt e verës lojtarët nuk stërviteshin, për arsye se ishin shitës dhe në këtë sezon u shërbenin turistëve. Pastaj, mori një ekip fëmijësh me te cilët vazhdoi gjatë. Ka dy djem, Nikolinin dhe Hermanin. I pari, që është edhe i madhi, sot është 46 vjeç. Ai ka luajtur futboll me të rinjtë e Partizanit dhe ekipin Shpresa. Edhe kur u transferua në Greqi tentoi të luante, por i kërkuan të bëhej vorio-epirot. Nuk pranoi, e për rrjedhojë e la futbollin. Djali i dytë, Herman, sot 43 vjeç, nuk e vijoi rrugën e babait. Për të dytin ka një kujtim: Pas lindjes, dy muaj mbeti pa emër, se Herman nuk pranonte lagjja, pasi donin që t’i vinin njërin nga emrat e listës. Një listë të cilën e jepte lagjja me emra të zgjedhur prej saj. Të dy janë të pamartuar. Fiziku, shëndeti, humori, kujtesa dhe dëshira për t’iu rikthyer karrierës është argument joshës për të. Një gotë raki me kafenë e pi çdo mëngjes. Eshtë një ritual që e ka pasur edhe kur luante, pasi ia kishin rekomanduar për shëndetin. Por, pa e tepruar asnjëherë! Luan bilardo, ndjek ndeshjet dhe mbetet tifoz i Partizanit. Por edhe i Vllaznisë. Nuk merret më me breshka, as fizarmonikë. Ka një vlerësim unikal për Loro Boriçin. “Ka qenë një njeri shumë i mirë, një futbollist shumë i mirë dhe një trajner shumë i mirë. Shumë inteligjent”. Kujton se me Gjermaninë në 1971 vetë Shllaku nuk luajti, pasi kishte të thyer një brinjë. Ka qenë kundër aktivizimit të Ziut si sulmues i majtë. Edhe ai bashkë me të tjerët e ka kritikuar para ndeshjes këtë gjetje të Boriçit, por pas saj e ka kuptuar se veprimi i Boriçit ka qenë dhe mbetet një nga momentet më historike. Kujton se nuk i është trembur asnjë kundërshtari, edhe pse ka luajtur kundër Shefer, gjermanit më të mirë në Botërorin 1962, kundër Osim të Jugosllavisë dhe kundër bullgarit Djevi, një ndër mesfushorët më potentë të kohës. Ka pasur e vazhdon të ketë një shqetësim: “Kur flitet për ndeshjen me Gjermaninë, gjithmonë fillohet nga fundi dhe të gjithë harrojnë të thonë se kapiteni i asaj skuadre kam qenë unë, Lin Shllaku!”
Lin Shllaku, 7 vjet kapiten i Partizanit dhe Kombëtares; 7 tituj kampionë e 7 Kupa Republike; 2 medalje ari dhe argjendi: në Lajpcig e Hanoi; 1 Kupë Ballkanike `69-`70.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"