Llogaritjet e Teutës, Kamzës e Vllaznisë, ja shanset e skuadrave për mbijetesë
Tri javë nga fundi, Kamza, Teuta dhe Vllaznia kanë nisur të bëjnë kalkulimet sesi ti shpëtojnë rënies nga kategoria. Vllaznia është në dorë të ekipeve të tjera dhe i duhet që të mos gabojë në ndeshjet e mbetura dhe të shpresojë që të bëjnë hapa false Teuta dhe Kamza. Gazeta bën kalkulimet dhe rendit shanset që kanë të tria këto ekipe për t’i shpëtuar rënies në Kategorinë e Parë.
SI SHPËTON KAMZA
Kamza, që e nisi në mënyrë perfekte këtë sezon, gaboi në dy fazat e fundit dhe tashmë është në luftë për mbijetesë. Skuadrës së drejtuar nga Julian Ahmataj i mjafton që të fitojë të tria ndeshjet e mbetura për të qëndruar në Superiore, gjithmonë nëse i fiton edhe Vllaznia. Nëse shkodranët gabojnë në dy ndeshjet e radhës, qoftë edhe duke barazuar dhe Kamza i fiton të dyja takimet e radhës, atëherë shpëton. Nëse në fund, Kamza dhe Vllaznia e mbyllin me pikë të barabarta, atëherë hyn në lojë golavarazhi i përgjithshëm, pasi në përballjet direkte gjithçka është e barabartë mes këtyre dy ekipeve. Disavantazhi i Kamzës është se luan me Flamurtarin, Laçin dhe Partizanin, tri ekipe që luftojnë për një vend në Europë.
SI SHPËTON TEUTA
Skuadrës durrsake i mjafton të fitojë të tria ndeshjet e mbetura dhe qëndron në elitë, edhe nëse Vllaznia i fiton takimet e saj. Gjithashtu, durrsakëve u mjafton që të fitojnë në dy takimet e radhës dhe nëse Vllaznia ndalet në dy nga tri ndeshjet, qoftë edhe në barazime, qëndron në Superiore. Nëse Teuta e mbyll kampionatin me pikë të barabarta me Vllazninë, shpëton pasi është e avantazhuar nga ndeshjet direkte. Skuadra durrsake është me e avantazhuara nga të tria ekipet në garë, pasi dy ndeshjet e radhës luan me rivalë që kanë dalë nga objektivat, Skënderbeu dhe Lushnja. Sfidën e fundit e luan me Laçin.
SI SHPËTON VLLAZNIA
Mbijetesa për Vllazninë nuk është më në dorën e vet. Shkodranët duhet që fillimisht të mos gabojnë në takimet e tyre. Vllaznisë i duhet të fitojë fillimisht ndaj Partizanit dhe të shpresojë që të ndalen Teuta apo Kamza. Më pas, të fitojë dy ndeshjet e mbetura deri në fund. Edhe nëse barazon me Partizanin dhe të fitojë dy ndeshjet e mbetura, duke shpresuar që Teuta dhe Kamza të gabojnë. Nëse e mbyll me pikë të barabarta me Kamzën, i duhet të ketë golavarazh më të mirë të përgjithshëm për të mbijetuar.
BESAR BOZGO
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"