Llupa dhe Guranjaku njëzëri: Rikthejmë Elbasanin kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2024 | 19:57

Llupa dhe Guranjaku njëzëri: Rikthejmë Elbasanin kampion

Në kujtim të titullit të parë kampion të Labinotit të sezonit 1983-1984, një skuadër që përfaqësonte qytetin e Elbasanit, ishin pjesëmarrës edhe krerët më të lartë të klubit të AF Elbasanit, ekipit që përfaqëson aktualisht këtë qytet në futboll. Ngjitja në Superiore pas 10 vitesh mungesë është parë si një mundësi e mirë për të ripërsëritur historinë e brezave të mëparshëm të lojtarëve, të cilët kanë fituar edhe tituj për qytetin e Elbasanit.

presidenti llupa i elbasanit

SYNIMET – Me financa të shëndosha dhe projekt madhor, verdheblutë shpresojnë të shpallën sa më shpejt kampionë për herë të tretë në historinë e tyre. Të paktën, ky ishte urimi dhe dëshira e presidentit Kujtim Llupa, para veteranëve të futbollit elbasanas, të cilët ai i konsideroi si emblema e këtij qyteti. “Unë përulem para jush, sepse ju jeni emblema e Elbasanit. Ndihem i emocionuar dhe shpresoj që t’ju gëzojmë të gjithëve në vitet e ardhshme, duke nisur që nga ky sezon dhe t’ju japim kënaqësinë për kampion. Ju uroj të gjithëve jetë të gjatë dhe ta shijoni futbollin me ekipin e AF Elbasanit deri në fund”, u shpreh shkurtimisht Kujtim Llupa, i cili zotëron 70% të aksioneve të klubit të AF Elbasanit. Në të njëjtën linjë me presidentin ishte edhe drejtori sportiv, Elton Guranjaku, i cili theksoi se po punohet për të rikthyer Elbasanin kampion. “Është diçka shumë e bukur që ish-kampionët e Elbasanit kujtohen sërish dhe ne shpresojmë që me punën tonë të rikthejmë edhe njëherë Elbasanin kampion, pasi ky qytet e meriton të jetë në elitën e futbollit shqiptar. Uroj të jemi të gjithë bashkë për të festuar arritjet e qytetit tonë”, pohoi Guranjaku para të pranishmëve.

HISTORIA – Me pak fjalë, verdheblutë duket se i kanë shfaqur hapur ambiciet për një titull sa më të shpejtë kampion në Superiore, i cili do të ishte i treti në histori. Fillimisht e kanë arritur në vitin 1984 me skuadrën e quajtur Labinoti, më pas në 2006 me KF Elbasani, ndërsa tani shpresat janë që të arrihet edhe nën emrin AF Elbasani. Ndonëse emrat e ekipeve ndryshojnë, në fund bëhet fjalë për tri skuadra që përfaqësojnë ngjyrat e qytetit të Elbasanit. Dy titujt e mëparshëm kanë një distancë kohore prej dy dekadash nga njëri–tjetri dhe nëse historia përsëritet, në harkun kohor të pak viteve duhet të vijë edhe titulli i radhës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"