Loftus-Çik: Krenar që më zgjodhi Milani, Tomori është shembull fantastik
Një javë më parë kaloi zyrtarisht te Milani për një total prej 18 milionë eurosh (16 plus 2 mln të tjera bonuse) duke firmosur edhe kontratën 4-vjeçare me klubin e tij të ri. Pasditen e së martës, Ruben Loftus-Çik është prezantuar përpara mediave, duke zbuluar edhe numrin që do të mbajë.
Si ndiheni si lojtar i Milanit?
Është një ndjesi e veçantë, pasi për mua nis një kapitull i ri. Kam kaluar 20 vjet te Çelsi, kështu që ky është një moment i veçantë për mua. Fakti që gjithçka po ndodh te Milani e bën situatën edhe më të pabesueshme, sepse do të kem mundësinë të luaj në “San Siro” për këtë klub të madh, i cili ka një histori të madhe. Shumë legjenda kanë luajtur këtu, ndaj për mua është nder të vesh fanellën kuqezi.
Cila ishte dinamika e transferimit tuaj?
Gjithmonë kam dashur të vij, kur u përballa me Milanin në Champions, ndjeva se si është të luash në “San Siro”, pavarësisht se isha kundërshtar. Kishte një atmosferë të mrekullueshme në stadium dhe pata ndjesi fantastike.
Çfarë mendimi keni për klubin tuaj të ri?
E kam ndjekur Milanin veçanërisht që kur Tomori erdhi në klub. Mendoj se Fik është një shembull fantastik se si e ka përballuar këtë sfidë të re larg Anglisë dhe sa i suksesshëm ka qenë. Fakti që ai arriti të fitonte titullin me Milanin dhe arriti objektiva të rëndësishme me klubin më dha një shtysë të madhe për të ardhur edhe unë në këtë klub.
A ndikoi raporti me Tomorin për të zgjedhur kuqezinjtë?
Kam luajtur me të në ekipin e të rinjve, do të jetë mirë të vesh të njëjtën fanellë në “San Siro”. Kam folur shumë me të muajin e fundit, në fakt disa muaj, veçanërisht kur lajmet nisën të qarkullonin nëpër gazeta. Ai më pyeti nëse do të vija në Milano. Në fillim nuk mund t’i tregoja shumë, por kur negociatat u bënë serioze, fillova ta pyes për klubin dhe gjëra të tjera, si jeton, ku jetojnë lojtarët e tjerë, ku është terreni stërvitor. Ai më tha se nëse do të vija në Milano, do të kuptoja sa i madh është ky klub, historinë e tij dhe çfarë do të thotë të luash për Milanin.
Thuhet se njiheni edhe me Leaon…
Ai po luan në një nivel që e shtyn të jetë ndër më të mirët në botë, vetëm mund të bëhet më i mirë dhe mendoj se ka qasjen e duhur për ta bërë. Ai më shkroi disa javë më parë, tani do të jetë mirë ta takoj dhe të luaj me të.
Keni ndonjë lojtar të preferuar që e keni parë në radhët e Milanit?
Më pëlqente të shikoja Kakanë. Ai ishte i jashtëzakonshëm me topin në këmbë. Loja nën zotërimin e topit është një nga pikat e mia të forta dhe Kaka ishte ndër më të mirët me këtë cilësi, prandaj ishte një nga të preferuarit e mi.
Cili është pozicioni juaj i preferuar?
Jam mësuar të luaj shumë role. Mendoj se roli ku mund të jem më efektiv është në mesfushë, duke luajtur nga zona në zonë në mënyrë që të mund të futem në territoret kundërshtare dhe të shënoj, por gjithashtu të kthehem dhe të mbroj falë fizicitetit tim. Kjo është ajo që dua të bëj në Serinë A.
Çfarë dallimesh mendoni se ka mes Anglisë dhe Serisë A?
Futbolli anglez është shumë intensiv dhe fizik. Nga sa kam parë, Seria A është shumë taktike, por do të më duhet t’i shoh dhe të provoj ndeshjet si interpretohen në të vërtetë. Në të kaluarën kam pasur trajnerë italianë dhe më janë dukur se ishin shumë të fokusuar te taktikat.
Si e kaloni kohën e lirë zakonisht? Jam një person mjaft i qetë dhe pasionant. Jashtë futbollit më pëlqen të qëndroj me miqtë. Luaj tenis në kohën time të lirë, është një nga hobit e mi. Më pëlqen të jem aktiv, por mbi të gjitha më pëlqen të luaj futboll.
Keni ndonjë mesazh për tifozët tuaj të ri?
Përshëndetje të gjithëve. Jam i nderuar që jam pjesë e Milanit, e mezi pres të vesh këtë fanellë dhe të luaj ndeshjen e parë para jush. Faleminderit për mbështetjen që më keni dhënë në këto ditë të para e mezi pres t’ju shoh të gjithëve.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"