LOJËRAT EUROPIANE 2023/ Alban Beqiri fantastik, boksieri kuqezi kualifikohet në çerekfinale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2023 | 9:34

LOJËRAT EUROPIANE 2023/ Alban Beqiri fantastik, boksieri kuqezi kualifikohet në çerekfinale

Lojërat Europiane 2023, të cilat mbahen në Krakovë dhe Maloploska të Polonisë prej datës 21 qershor vijojnë me garat. SG

Në këtë eveniment merr pjesë edhe Shqipëria, e cila dje ka zhvilluar garat e radhës. Boksieri Alban Beqiri ka shënuar një tjetër paraqitje fantastike duke siguruar kualifikimin për në gjysmëfinalet e kategorisë së peshave 71 kg. Beqiri triumfoi bindshëm me rezultatin 4-1 kundër lituanezit Aleksandr Trofimcuk. Boksieri shqiptar, shfaqi klasin e tij në ring, duke qenë i papërballueshëm për kundërshtarin. Kujtojmë se në ndeshjen e parë, Beqiri kishte mundur me të njëjtin rezultat edhe sllovenin Dejan Leburic.

Kështu, Alban Beqiri, i cili sot feston 29-vjetorin e lindjes, tashmë është vetëm një fitore larg zonës së medaljeve në Lojërat Europiane, që do të ishte një tjetër rezultat i madh për të dhe për Shqipërinë. Në çerekfinalen që do të zhvillohet sot në orën 20:15, Beqiri do të gjejë një kockë shumë të fortë, danezin Nikolai Terteyran. Ky i fundit ka eksperiencë shumë të madhe në boksin olimpik, me 65 fitore dhe 18 humbje. Kujtojmë se Alban Beqiri mban rezultatin më të lartë në historinë e boksit shqiptar, si i vetmi boksier kuqezi që ka fituar medalje në një kampionat botëror. Ndërkohë dje është ngjitur në ring edhe boksieri Ardit Murja për duelin e tij të dytë në peshat 57 kg.

Pasi kishte fituar sfidën e parë më 23 qershor ndaj moldavit Victor Vacula, Murja këtë herë kishte përballë belgun Vasile Usturoi. 26-vjeçari kuqezi u mund me rezultatin 5-0, duke e mbyllur këtu rrugëtimin e tij në Lojërat Europiane. Për herë të parë në historinë e saj Shqipëria është përfaqësuar në Lojërat Europiane edhe me sportin e skermës, me 17-vjeçarin Massimo Mari. I shortuar në Vazon 8, Mari regjistroi 6 humbje, duke u renditur në vend të fundit.

Shqipëria ka arritur që të fitojë dy medalje ari në këto lojëra, që mbajnë firmën e Luiza Gegës në atletikë dhe Alvin Karaqit në karate. Për si përket klasifikimit të përgjithshëm të medaljeve në Lojërat Europiane 2023, deri më tani në vend të parë renditet Italia, i cila numëron 19 medalje ari, 19 argjendi dhe 25 bronzi. Më pas vijnë Spanja me 18 ari, 11 argjendi dhe 13 bronzi si dhe Ukraina me 17 ari, 10 argjendi dhe 7 bronzi.

mc

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"