Lojërat Mesdhetare, Shqipëria debuton me futbollin
Përfaqësimi i Kombëtares shqiptare në Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013” nis mbrëmjen e sotme me eliminatoret e futbollit. Kombëtarja, e drejtuar nga trajneri i Shpresave Skënder Gega, është në Grupin A, së bashku me Turqinë, Marokun dhe Bosnjë-Hercegovinën. Ndërsa në Grupin B janë Italia, Maqedonia, Libia dhe Tunizia. Kuqezinjtë debutojnë në orën 20:45 ndaj vendësve. Në këto Lojëra Shqipëria e futbollit do përfaqësohet me: Marsel Çakën, Aldo Teqjan, Arben Muskajn, Arlind Terhatin, Amir Bilalin, Erjon Hoxhallarin, Enis Gavazajn, Ilir Kastratin, Valon Ahmedin, Klodian Ginon, Liridon Latifin, Maldin Ymerajn, Kristi Markun, Rexhep Meminin, Thoma Strakoshën, Mateus Shkretën, Melsen Shkretën dhe Marvin Turtullin. Pjesë e stafit janë trajneri Skënder Gega, ndihmëstrajner Genti Mahmutaj, trajneri i portierëve Gut Tafaj, Fatos Kadena, fizioterapisti Xhaferr Koçi, menaxheri i ekipit Redi Jupi dhe Alban Bushi. Interesante është se delegacioni shqiptar do të drejtohet në ceremoninë e hapjes së Lojërave nga portieri, 18-vjeçari Çaka. Kandidatura e gardianit të bardhebluve u përzgjodh në mbledhjen e 12 qershorit të Komisionit Teknik të KOKSH-it. Sipas KOKSH-it, anëtarët, pas diskutimeve dhe shqyrtimeve të skedave të sportistëve, vendosën unanimisht që flamurmbajtësi për delegacionin shqiptar në këto Lojëra të jetë Çaka. Kjo përzgjedhje, sipas Komisionit Teknik, u bazua mbi CV-në e pasur sportive të tij.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"