Longo “fshin” Emiljano Mustën nga Kukësi, Ardit Hila i pret biletën për… Itali
Diego Longon e mban thjesht kontrata në Kukës. Marrëdhëniet e teknikut italian me presidentin e nderit, Safet Gjici, janë më të ftohta se kurrë, me humbjen e fundit ndaj Vllaznisë që nuk është kapërdirë aspak nga kreu i klubit, i cili sheh që i gjithë investimi i bërë për këtë vit mund t’i shkojë dëm.
Burime të besueshme të gazetës pranë klubit verilindor pohojnë se pavarësisht deklaratave publike të Gjicit për ta mbajtur deri në fund të sezonit Longon, është duke e menduar seriozisht shkarkimin e tij.
Marrëdhëniet kishin kohë që ishin të tendosura dhe thjesht kortezie, sepse rezultatet e javëve të fundit dhe deklaratat publike të Longos, duke “zeruar” atë histori të klubit, nuk u kapërdinë aspak nga Gjici.
Fakti që presidenti i nderit ende nuk ka ndërprerë marrëdhëniet lidhet vetëm me kontratën që ka me Longon, me trajnerin nga ana tjetër që nuk pranon të japë dorëheqjen.
Duke iu druajtur gjyqeve në të ardhmen, drejtuesit do të “durojnë” edhe tri javë, ndërkohë që nga ana tjetër italiani nuk dëshiron që aventurën e tij të parë si kryetrajner ta lërë në mes.
Burimet pohojnë se situata është aq e tendosur, saqë edhe në rast se italiani siguron Kupat e Europës, do të largohet dhe nuk do të rinovojë më me klubin.
Kukësi me Longon janë në një situatë ku asnjë nuk e do më njëri-tjetrin, por për momentin janë të detyruar të qëndrojnë bashkë vetëm për hir të kontratës.
MUSTA – Në ndeshjen me Vllazninë, Diego Longo në mënyrë të pashpjegueshme la në shtëpi Emiljano Mustën, për më tepër që në krahun e majtë mungonte Edison Ndreca për arsye kartonësh.
Mësohet se italiani nuk e ka kapërdirë dot faktin që Musta një javë më parë shpërndau në rrjetet sociale një foto me Ardit Hilën, lojtar që Longo e përjashtoi para pak javësh.
Italiani e ka cilësuar si provokim ndaj tij dhe për këtë arsye e ka lënë në shtëpi, ndërkohë që përpara kishte një ndeshje jetike si me Vllazninë dhe nuk kishte asnjë mbrojtës të majtë në dispozicion.
Shpesh gjatë këtij sezoni italiani ka pasur përplasje me lojtarët duke i lënë në shtëpi në ndeshjet vendimtare apo i ka degdisur tek ekip i i 21-vjeçarëve, fakt që Safet Gjicit nuk i ka pëlqyer aspak, por nuk ka preferuar të hyjë në punët e trajnerit, duke e lënë të qetë në zgjedhjet e tij.
HILA – Ardit Hila, i larguar nga Longo pak javë më parë, vijon të thumbojë ish-trajnerin e tij te Kukësi.
Pas humbjes me Vllazninë, elbasanasi ka nënkuptuar largimin e italianit me një postim në rrjetet sociale, duke improvizuar me një avion që niset nga Shqipëria me destinacion Italinë.
Jo vetëm kaq, por mesfushori ka ironizuar edhe me golin e Vllaznisë në fund, ku Longo u ankua për vijën e VAR-it në pozicion jashtë loje.
Duhet thënë se Hila ishte një nga të preferuarit e Longos në fillim të sezonit, por shumë shpejt u kthye në një të padëshiruar dhe si për ironi të fatit, që nga largimi i tij Kukësi mori të tatëpjetën.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"