Lotar Mateus: Bajern, kujdes me Kimish! De Ligt dhe Dejvis, lojtarë që identifikojnë fytyrën e klubit në arenën europiane

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2024 | 13:20

Lotar Mateus: Bajern, kujdes me Kimish! De Ligt dhe Dejvis, lojtarë që identifikojnë fytyrën e klubit në arenën europiane

Ish-mesfushori “rekordmen” i Gjermanisë për numër prezencash me kombëtaren ka dashur t’i vijë në ndihmë trajnerit Visent Kompani, ky i fundit ka pak kohë që e ka marrë drejtimin e Bajern Mynihut. Në bazë të raportimeve, aludohet se Alfonso Dejvis dhe De Ligt janë shumë pranë largimit nga “Allianz Arena”.

mateus

REAGIMI I MATEUS –“Unë mund ta imagjinoja Joshua Kimish si një gjashtëshe, i cili nuk ishte në këtë pozicion gjatë trajnerit Tomas Tuhel. Pyetja e madhe është se ku e planifikon Bajerni dhe Kompani Joshuan dhe nëse a duan ta mbajnë në ekip?! Nëse shikoj futbollist me përvojë të jashtëzakonshme si Tomas Myler apo Manuel Nojer të largohen në të ardhmen, unë personalisht do të bëja gjithçka për të mbajtur Kimish. Ai ka formësuar klubin vitet e fundit, është një fytyrë e Bajernit dhe nuk mund të shpresosh me personalitete lideri nga transferimet e reja, për këtë jam mëse i bindur. Joshua e ka në ADN suksesin dhe sakrificën në favor të ekipit. Ai ka fituar gjithçka me klubin dhe i ka rezistuar disa ndryshimeve në Mynih, duke i formësuar në shumë etapa. Matajs de Ligt edhe pse ka dy vjet që i është bashkuar Bajernit, ka potencial për të mbajtur mbi supe repartin e prapavijës. Pikërisht ai djalosh që na mahniti të gjithë me karakterin e treguar gjatë aventurës tek Ajaksi. Këtë gjë është përpjekur ta demonstrojë edhe në Mynih, por problemet fizike kanë ndikuar për keq. Nuk jam dakord se do të ishte rezultative shitja e De Ligt. Të njëjtën gjë mund të them edhe ndaj Dejvis. Askush nga kontigjenti aktual nuk mund ta zëvendësojë denjësisht hendekun në krahun e majtë, nëse Alfonso largohet”, tha me tone imponuese Mateus.

KRITIKAT NDAJ PRESIDENTIT – “Uli Hënes ka merita të mëdha që Bajern Mynih është në një nivel kaq të lartë për disa dekada. Ai ka dhënë shpirtin për këtë ekip. Deklarata e fundit nga ai vuri në dukje se mbetet ende shefi, ndonëse tha para disa muajësh se ia ka lënë stafetën Maks Eberl dhe Kristof Frojnd. Fjalët e Uli shpesh krijojnë përçarje dhe trazira në klub. Shpresoj se ky komponent nuk do ketë efekt në vazhdimësi”, përfundoi Mateus.

SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"