“Luante me gjithë fisin, babai i krijoi mundësi stërvitje edhe para shtëpisë”, flasin pjesëtarët e fisit të Brojës: Armando vjen çdo verë, si emigroi i ati
Festim Broja është një nga kushërinjtë e mbetur në fshatin Kamicë të familjes së sulmuesit kuqezi. Ai disa herë ka shkuar në Angli, duke u takuar me Armandon dhe familjen e tij, ndërsa kanë ndarë shumë momente së bashku. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Festimi mundohet të tregojë detaje që lidhen me Armandon, si dhe rrugëtimin që familja e tij ka bërë për t’u stabilizuar afër metropolit anglez, Londër.
Cila është lidhja juaj me familjen e Armando Brojës?
Ne jemi një fis dhe marrëdhëniet tona janë shumë të mira, pavarësisht se ata jetojnë në emigracion. Si shumë shqiptarë, babai i Armandos ka ikur në emigrim në një moshë të re. Ishte 25 vjeç kur iku dhe tani ka 23 vite që jeton në Angli. Atje kanë lindur edhe fëmijët, dy vajzat dhe djali Armando. Emigruan si gjithë të tjerët për arsye ekonomike dhe një jetë më të mirë. Mosha e përafërt që kam me babain e Armandos na ka bashkuar edhe më shumë. Unë jam pajisur edhe me vizë angleze dhe kam qenë disa herë te familja e tyre. Kam takuar Armandon deri në moshën 17-vjeçare, kur ai luante me ekipin e paratërinjve të Çelsit. Di të them që Armando është shumë i dashur me brezin e vet të kushërinjve dhe bashkëfshatarëve. I respekton maksimalisht të gjithë.
A vijnë ata shpesh në fshat?
Ata vijnë çdo verë si çdo emigrant shqiptar. Ka ardhur edhe Armando me familjen e tij dhe pushimet gjatë verës i ka bërë në plazhin e Velipojës, ndërsa afro 10 ditë çdo verë thuajse i ka kaluar te shtëpia e babait të tij këtu në fshatin Kamicë, në oborrin ku ka luajtur me fëmijët tanë. Armando ishte shumë i apasionuar pas futbollit dhe babai i tij ia ka krijuar mundësitë për t’u stërvitur apo luajtur edhe gjatë pushimeve, ndaj ka vendosur në oborrin e shtëpisë një portë dhe ka bërë fushën e vogël, ku luanin gjithë kohën duke shfrytëzuar kështu edhe periudhën e pushimeve për të bërë pak sport.
Sa krenar jeni për këtë sukses?
Ne jemi krenar për çdo futbollist shqiptar, natyrshëm edhe për çdo futbollist malësor e aq më tepër për një pjesëtar të fisit tonë, një nga futbollistët më të mirë të Kombëtares shqiptare. Jemi shumë krenarë patjetër.
Cilat janë emocionet që përjetuat në golin e shënuar nga Armando?
Kemi shumë emocione kur shohim ndeshjet. Dyfish emocion kur ka shënuar golin dhe Kombëtarja mori atë fitore të rëndësishme me Hungarinë. Malësia e Madhe ka disa futbollistë në Kombëtare, duke nisur nga Hysaj, Balaj, Çokaj dhe Broja, që ndoshta po bëhet golashënuesi më i mirë ndër futbollistët malësorë. Kështu, jemi krenarë për çdo malësor që luan me Kombëtaren.
Çfarë dini për pasionin që e lidhi Armandon me futbollin?
Ka afro 10 vite që Armando ushtron sportin e futbollit dhe ka qenë me të gjitha ekipit e Çelsit që nga mosha 10- vjeçare. Pjesa kryesore është për familjen, sepse atyre u është dashur që të merren gjithmonë me aktivitetin sportiv të Armandos, që në moshë të vogël. Në një metropol si Londra është dashur që ta ndjekë kudo një familjar. Gjithmonë e ka ndjekur nëna e tij, Blerina, sepse babai Xhevahir punonte. Nëna ka sakrifikuar shumë, duke lënë gjithçka dhe duke iu përkushtuar Armandos.
A keni një ftesë që Armando të vijë sërish në fshat për t’ju takuar?
Nuk besoj se Armando ka nevojë për ftesë, pasi ai ka ardhur edhe dy-tri herë në vit dhe sot ndoshta mundësitë i ka më të kufizuara. Nuk e besoj se Armando mund të shmanget aq lehtë nga kjo fushë e vogël e familjes dhe ku kaloi një pjesë të fëmijërisë së tij.
Sokol Broja është një tjetër kushëri i Armando Brojës që foli dje për “Panorama Sport” nga fshati Kamicë.
Ai tregon se si sulmuesi aktual i Kombëtares luante me fëmijët e fshatit deri pak vite më parë.
Si e njihni familjen e Armandos?
Familjen Broja ne e njohim se jemi rritur bashkë me babain e Armandos dhe me nënën e tij, kur ajo erdhi nuse në fshatin tonë. Pastaj kanë emigruar në Angli, por thuajse çdo verë kanë ardhur këtu dhe Armandon e njohim që në moshë të vogël kur ai vinte për pushime. Pastaj mori rrjedhën e jetës së tij në sportin e futbollit. Ne jemi krenarë për suksesin e tij dhe besoj se do të shkojë edhe më larg. Fëmijëria e Armandos, ashtu si çunat e fshatit tonë, u përkëdhelte edhe ai kur vinte këtu gjatë verës dhe qëndronte me moshatarët e vet. Te shtëpia, babai i tij i ka bërë një fushë të vogël futbolli dhe luanim i gjithë fisi apo edhe fshati. Fëmijët organizoheshin vetë dhe luanin pa fund në atë kohë të gjithë bashkë edhe me Armandon. Tani janë rritur dhe secili ka marrë drejtimin e tij. Ne i urojmë shumë suksese Armandos dhe kujtdo tjetër që bën hapa pozitivë në jetë dhe na bën të ndihemi mirë.
Ka ardhur vitet e fundit Armando në fshat?
Absolutisht që po. Ka ardhur shpeshherë kur ka pasur mundësi. Ne të gjithë kushërinj, farefis, mblidhemi edhe me ato mundësi që kemi e shijojmë dhe e duam shumë njëri-tjetrin.
Si e keni përjetuar golin e shënuar ndaj Hungarisë?
Me shumë emocion, të them të drejtën. Telefonatë pas telefonate, nga shokë e miq, motra, nipa e mbesa, bashkëfshatarë e të njohur duke na marrë në telefon dhe duke na thënë se ia arriti Armando njëfarë qëllimi dhe të gjithë na kanë uruar dhe janë ndier shumë mirë.
A jeni krenarë për këtë sukses?
Patjetër që jemi shumë krenarë. Shumë familjarë, miq, të afërm, por edhe të gjithë në rrjetet sociale e kanë uruar atë dhe Kombëtaren. Patjetër që ndihemi shumë krenarë për këtë gjë.
Mund të bëheni tifozë me Çelsin nëse shkon sërish aty?
Absolutisht që po. Edhe pa qenë Armando na ka pëlqyer Anglia dhe jo më nëse ai do të jetë pjesë e atij ekipi, patjetër që po e mbështesim kudo që ai të luajë.
A keni një ftesë që ai të vijë sërish në fshat?
Ai vjen edhe pa ftesë, sepse është shumë krenar besoj kur vjen në vendlindjen e babait dhe të nënës së tij dhe të gjithë jemi të gëzuar kur ata vijnë dhe besoj se do të vijojnë të jenë pranë nesh.
Emigrimi është problem në fshatin tuaj?
Absolutisht që është problem i madh. Nisi në 1997, pastaj u rikthye në vitin 2005 dhe vijon edhe në këto vitet e fundit pa ndërprerje. Fshati po boshatiset dhe më shumë kanë mbetur të moshuar dhe për këtë ndihemi keq, normalisht. Vetë jeta si kudo në Shqipëri edhe këtu është e vështirë, ndaj edhe emigrojnë. Gjynah është të largohemi nga vendi, por nuk ka pasur një zgjidhje tjetër.
SENAD NIKSHIQI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"