Luftëtari, Bime hap “thesin” para Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2014 | 12:46

Luftëtari, Bime hap “thesin” para Elbasanit

Bime dhe BifshaPresidenti i Luftëtarit, Flamur Bime, u ka premtuar bluzinjve premio në rast të një rezultati pozitiv dhe në Elbasan. Në fakt, pas përfundimit të takimit me Kamzën, gëzimi për fitoren e arritur u pa qartë në sytë e presidentit Flamur Bime. “Blerjet, – tha Bime, – rezultuan pozitive, me përjashtim të ndonjërit që ndoshta nuk u përshtat mirë me ekipin”. Mësohet se numri një i presidencës bluzi, pasi ka ndjekur seancën stërvitore të ditës së djeshme të zhvilluar në pistën rreth stadiumit “Gjirokastra”, ka bërë të ditur premion në rast fitoreje, por pa përmendur shifra. Gjithsesi nesër (sot), pas seancës stërvitore të paradites, do të takohet me futbollistët, nga ku pritet të mësohet më në detaje se çfarë do të diskutohet.
Mungesat – Numrit një të pankinës gjirokastrite, Petraq Bifsha, për takimin e radhës ndaj Elbasanit i duhet të vuajë mungesën e dy titullarëve. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Besmir Sinani, si dhe sulmuesin Florian Braho, për shkak se kanë mbushur numrin tre të kartonëve të verdhë. E sikur të mos mjaftonin mungesat e Sinanit dhe Brahos, në pikëpyetje është edhe aktivizimi i serbit Alksandër Stojkoviç. Partneri i Sinanit në qendër të mbrojtjes, shtatlarti Stojkoviç, disa minuta para përfundimit të ndeshjes me Kamzën ka pësuar tërheqje muskulore. Megjithatë, në radhët e stafit teknik besojnë se dëmtimi i Stojkoviçit do të kalohet. Ndërkohë, alternativat për zëvendësimet e Sinanit dhe Brahos nuk mungojnë. Afrimet e fundit në merkaton e janarit për Bifshën, por jo vetëm, janë ato të duhurat, të mjaftueshme për të mbushur boshllëqet e krijuara. Aleksandër Stojkoviç lidhur me dëmtimin e pësuar në takimin e së shtunës tha: “Dëmtimi i pësuar do të kalojë dhe besoj se do t’ia dal që të jem i gatshëm në fundjavë. Do t’i zbatoj me përpikëri udhëzimet e mjekut të ekipit, për të nisur sot përgatitjet me grupin”.
TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"