Luftëtari nis shkëputjen, Lushnja është “dramë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2016 | 17:29

Luftëtari nis shkëputjen, Lushnja është “dramë”

Luftëtari është me fat në fund që përmes një 3- pikëshi në “Roza Haxhiu”, është larguar +4 nga vendi i dytë, që tashmë i përket Apolonisë, dhe ka thelluar diferencën në 6 pikë me Pogradecin e vendit të tretë. Debutim perfekt për talentin vlonjat Dejvi Bregu.

lushnja-luftetariHyn si zëvendësues dhe shënon golin e fitores për Luftëtarin në minutën e 3-të shtesë. E kundërta për Bekim Kulin, që debuton te Lushnja, me karton të kuq pas goditjes me shkelm të kundërshtarit.

Verdhejeshilët e drejtuar nga Artan Bano janë në një krizë të thellë dhe kanë pësuar humbjen e 4- t radhazi, në një kohë që janë jashtë çdo lloj objektivi.

Ndeshja

Terren pak i rënduar, 200 shikues dhe një nisje e qetë e takimit. Lushnja prezanton Kulin, ndërsa Luftëtari Dhramin, Meton dhe Arifajn. Canka jep sinjalin e parë në minutën e 12-të, por goditja përfundon jashtë. Në minutën e 20-të, po me një goditje në hyrje të zonës tenton Dhrami, por Spaho pret. Lushnja ka një mundësi të mirë me Gjylën në minutën e 27-të, por mungon gjuajtja.


Në minutën e 36-të, Sefa vepron bukur nga e djathta duke galopuar deri në zonë, por goditja e tij përfundon jashtë. Në minutën e 41-të, Bufasi shërben për Kulin, por gjuajtja bllokohet. Edhe pjesa e dytë është e qetë. Në minutën e 61- të Kuli del me karton të kuq, pasi godet me shkelm Ramadanin. Ndeshja i kishte lënë emocionet për në fund.

Kur gjithçka po shkonte qetësisht drejt shifrave të bardha, Lushnja fiton një penallti 7 minuta para fundit pas prekjes së topit me dorë nga Rrapaj. Xhafa godet dhe Miraka devijon në korner. Luftëtari humbet një rast të pabesueshëm në minutën e 87-të me Cankën që në zonë tenton të godasë me thembër, por del huq.

Në të 93- tën, miqtë fitojnë një goditje dënimi jashtë zone. Bregu godet fort, topi devijohet nga muri mbrojtës dhe në formë parabole përfundon në rrjetë. Luftëtari feston fitoren historike që për ta është e para në “Roza Haxhiu”.

Lushnja-Luftëtari 0-1
GOLI: Bregu 90+3′
LUSHNJA: Spaho, Xhafa, Bufasi, Baze, R.Dervishi (Mezini 86′), Byzhyti, Ruço, Gjyla (Musaku 65′), Kuli, Sefa, Allkanjari. Trajner: A.Bano
LUFTËTARI: Miraka, Liçaj, Rrapaj, Beqiri, Mersini, Aleksi, Ramadani, Arifaj (Shenaj 58′), Dhrami, Meto (Bregu 57′), Canka. Trajner: M.Hysi
KARTON I VERDHË: Ramadani 62′ KARTON I KUQ: Kuli 61′
GJYQTARË: K.Kola (Tiranë), R.Malaj, E.Pulaj (Vlorë)
VËZHGUES: I.Gashi (Durrës)
DELEGAT: D.Babamusta (Durrës)

Interes i pakët, vetëm 200 tifozë

Tifozëria lushnjare konsiderohet si një prej më të zjarrtave në Shqipëri. Dhe këtë e ka treguar në dekada të ndryshme. Por ajo që bie në sy këtë sezon është ulja e interesit nga tifozët lushnjarë për skuadrën. Duhet thënë se gjatë ndeshjeve që skuadra ka zhvilluar këtë sezon në fushën e vet, është vënë re një numër shumë i paktë tifozësh.

Për tifo-grup as që bëhet më fjalë dhe ai i mungon shumë skuadrës. Rezultatet negative dhe mungesa e një objektivi ka bërë që tifozët të ftohen me ekipin dhe të jenë shumë të paktë në stadium. Në sfidën e djeshme, ku përballë ishte skuadra kryesuese e grupit dhe për më tepër takimi i parë për këtë vit, ishin vetëm rreth 200 tifozë.

Hysi: E dominuam ndeshjen

Pas ndeshjes së djeshme, trajneri i Luftëtarit, Mustafa Hysi, u shpreh: “E kishim vlerësuar Lushnjën dhe për dy javë përgatitëm këtë ndeshje të rëndësishme. Kemi bërë investime dhe jemi një skuadër e destinuar për të fituar.

Do të jemi në kryesim dhe jam i bindur për këtë. E kemi dominuar ndeshjen 70% me 30%. Përgëzoj portierin që neutralizoi një penallti dhe Bregun për golin e bukur në fund. Nuk ishte aspak një fitore episodike, e kemi dominuar takimin në të gjitha aspektet.

Ne jemi një skuadër e destinuar për Superioren. E nisëm shumë mirë vitin dhe besoj se do ta mbyllim në këtë mënyrë kampionatin”, deklaroi Hysi.

Canka

“Stadiumi ishte bosh, por kisha emocione” Mikel Canka ishte për herë të parë përballë Lushnjës së tij në stadiumin “Roza Haxhiu”.

Sulmuesi i Luftëtarit ishte një prej më të mirëve në fushë në sfidën e djeshme, por nuk arriti që të shënonte. Në fund, Canka në prononcimin e tij u shpreh:

“Edhe pse stadiumi ishte bosh, kam ndjerë emocione. Ishte ndeshja ime e parë në ‘Roza Haxhiu; si kundërshtar i Lushnjës. Edhe pse humba një rast shumë të pastër, jam shumë i kënaqur për fitoren. Morëm tri pikë të rëndësishme dhe jemi në rrugë të mbarë. Lushnjës i uroj suksese. Për sa i përket Luftëtarit, do të vazhdojmë kështu dhe në fund do të sigurojmë biletën për në Superiore”.

Përgatiti: ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"