Lushnja bazohet te shkolla e saj, por afrimet mbeten të domosdoshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2019 | 16:55

Lushnja bazohet te shkolla e saj, por afrimet mbeten të domosdoshme

Lushnja ka emra të njohur në përbërjen e grupit të sezonit të ardhshëm. Sigurisht që ky grup nuk është i plotë, por nga 14 futbollistët, të cilët kanë firmosur deri më tani me verdhejeshilët, vetëm kavajasi Denis Brahimaj do të jetë debutues. Të tjerët janë të shtëpisë dhe të njohur për tifozët e Lushnjës.

lushnja

Portieri Haremi dhe mbrojtësi Ruço janë rikthyer në skuadrën e qytetit të tyre, ashtu si dhe Endri Magani, që ka luajtur dy sezone me lushnjarët (2016-2018). Sa u takon rinovimeve, bie në sy rikonfirmimi i Taullahut për herë të gjashtë radhazi, si dhe i Sefës dhe Alushit për herë të pestë radhazi. Por skuadra ka nevojë për të tjerë futbollistë, siç e ka pranuar edhe vetë trajneri Ilir Gjyla ditët e fundit, duke theksuar se duhet të forcojë çdo repart.

Te Lushnja janë edhe 11 vende bosh, që priten të plotësohen nga mekatoja, por edhe nga disa futbollistë që janë aktualisht në stërvitje. Gjithsesi, duket se baza është “shkolla” verdhejeshile e futbollit. Këto ditë pritet që skuadra të formatohet dhe në fillim të gushtit të vijojë përgatitjet e sezonit të ri e grumbulluar. Lojtarët që kanë firmosur kontratë 1-vjeçare me Lushnjën deri tani janë portierët Ibrahim Bejte dhe Oltjan Haremi, mbrojtësit Renato Dervishi, Dionis Musaku, Denis Brahimaj, Ledion Ruço dhe Endri Magani, mesfushorët Eneo Sulkja, Ledjan Taullahu, Okeljan Baze dhe Ergys Alushi, si dhe sulmuesit Fatjon Sefa, Arbër Allkanjari dhe Ervis Gjyla. Kuptohet që të tria repartet duhet të plotësohen me lojtarë të tjerë.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"