Lushnja bëhet gati për miqësoren ndaj Leçes, Gava: I lumtur që firmosa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2017 | 18:26

Lushnja bëhet gati për miqësoren ndaj Leçes, Gava: I lumtur që firmosa

Klubi lushnjar është në hapat e fundit në organizimin e skuadrës për të udhëtuar drejt Pulias. Skuadra verdhejeshile do të luajë një takim miqësore me Leçen, që militon në nivelin e tretë të futbollit në Itali. Në përgatitjet e tyre, lushnjarët kanë zhvilluar vetëm një takim miqë- sor, të luajtur në “Roza Haxhiu” me Laçin, ku kanë barazuar pa gola. Kjo do të jetë miqësorja e dytë e myzeqarëve, që më pas do të udhëtojnë drejt Pogradecit për të vijuar fazën përgatitore.

lushnja

Stadiumi – Impianti “Via del Mare” i Leçes, ku mbrëmjen e të enjtes verdhejeshilët do të luajnë një takim miqësor, ka një të veçantë. Me ngjitjen e Leçes për herë të parë në serinë A italine, stadiumi është bërë gati në kohë rekord për ndeshjen e parë të verdhekuqve në serinë A (22 shtator 1985 Leçe-Torino 0-0). Në vetëm tre muaj, Leçe ka bërë gati stadiumin dhe 90 minutat e para në serinë A, janë ndjekur nga 55 mijë spektatorë.

Stadiumi i Leces

Biletat – Klubi leçez ka publikuar dhe çmimet e biletave të miqësores Leçe-Lushnja, që do të luhet ditën e enjte në stadiumin “Via del Mare”. Ato kanë dalë në shitje që nga paraditja e së premtes dhe për sektorin e miqve ku do të sistemohen tifozët e Lushnjës, do të jenë 7 euro, ndërsa për fëmijët vetëm 2 euro. Fëmijët që kanë lindur nga 1 janari 2003 deri në katër vjeç më të vegjël do të hyjnë në stadium falas.

Stërvitja – Pas pushimit të së dielës, lushnjarët do të zbresin sot në fushë për të nisur javën e pestë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri. Edhe sot verdhejeshilët do të stërviten në fushën e stadiumit “Roza Haxhiu”, në pjesët e paprekura të tapetit të vjetër. Afrimet e reja të Metos dhe Gavës kanë mbushur skuadrën dhe ngrohur tifozët që presin lojtarë të tjerë te skuadra verdhejeshile.

Gava

Mesfushori Orgest Gava, në një prononcim për “Panorama Sport”, shprehet: “Zgjodha Lushnjen dhe jam i kënaqur. Jam gjithashtu shumë i motivuar për të justifikuar besimin që më është dhënë. Jemi në Superiore dhe obligimi është shumë i madh. Falënderoj tifozët e Lushnjes për pritjen e ngrohtë dhe përkushtimi im te kjo skuadër do të jetë maksimal”.

 

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"