Lushnja pa zhurmë, lëvizje vetëm në sulm. Magani po punon me “të vjetrit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2024 | 16:00

Lushnja pa zhurmë, lëvizje vetëm në sulm. Magani po punon me “të vjetrit”

Lushnja është një nga skuadrat e Kategorisë së Parë që e ka nisur fazën përgatitore për sezonin e ri pa bërë zhurmë dhe bujë në merkaton e verës. Praktikisht trajneri Gugash Magani dhe stafi i tij po përgatisin pjesën dërrmuese të lojtarëve që patën nën urdhrat edhe në sezonin e shkuar.

magani lushnja

Afrimet në kampin verdhejeshil janë ende në kuadrin e bisedimeve dhe i vetmi që mund të konsiderohet si prurje është sulmuesi Albi Xhabrahimi, i cili në sezonin e shkuar ka qenë pjesë e Vorës. 27-vjeçari ka përvojë në Kategorinë e Parë, pasi ka kontribuar në të shkuarën për disa ekipe, si Besa Erzeni, Tërbuni, Korabi, Iliria dhe Dinamo.

Krahas bisedimeve me lojtarë të rinj, drejtuesit janë angazhuar edhe në procesin e rinovimeve, ku një pjesë me kohë nuk i kanë pranuar kushte dhe e kanë shpallur “divorcin” me Lushnjën. Matjë Lëru, Granit Islami, Oltjan Haremi dhe Dejan Andoni zyrtarisht nuk janë më pjesë e skuadrës.

Dyshime ka edhe për ndonjë lojtar tjetër, ku mes tyre është edhe sulmuesi, Kristian Preknicaj, të cilit i mbaroi kontrata më 30 qershor. Palët kanë biseduar për rinovimin e kontratës, por për momentin nuk ka akord, pasi flitet se 22-vjeçari shpreson që të hedh një hap më lart në karrierën e tij, me destinacion Kategorinë Superiore.

Nisur edhe nga ecuria e skuadrës në dy sezonet e fundit, ku mbijetesa u arrit përmes ndeshjes shtesë në “play out”, i bie që Lushnja ka nevojë për përforcime në çdo repart, nëse pretendohet rikthimi në elitën e futbollit shqiptar.

 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"