Lushnja u jep fund pushimeve, por mesfushori fierak vendos të largohet nga verdhejeshilët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2024 | 12:35

Lushnja u jep fund pushimeve, por mesfushori fierak vendos të largohet nga verdhejeshilët

Edhe për Lushnjën përfundojnë pushimet. Verdhejeshilët do të zbresin sot në orën 18:00 në fushën stërvitore. Skuadra e drejtuar nga Gugash Magani do të nis me përgatitjet për sezonin e ri. Gjatë periudhës së pushimit, largimet kanë qenë prezent te lushnjarët.

andoni

Mesfushori fierak, Dejan Andoni, nuk do të jetë më pjesë e Lushnjës. Pas dy sezonesh me verdhejeshilët, 29-vjeçar ka vendosur që të largohet, gjë të cilën ai pranoi në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”. “Ishte një dëshirë e përbashkët e imja dhe klubit që ta mbyllnim këtë kapitull. Kishte ardhur momenti i ndryshimit. Ishin edhe disa arsye personale që ndikuan në këtë vendim pa mbaruar mirë kampionati i shkuar. Kontrata ka përfunduar, por edhe nga klubi nuk pata ndonjë kërkesë për rinovim, gjë që mua ma bëri më të thjeshtë vendimin paraprak.

Luajta dy sezone te Lushnja, që ishin mjaft të vështira për skuadrën dhe për mua si lojtar. Ishin dy vite radhazi me një këmbë në Kategorinë e Dytë. Kishim presionin e rezultatit gjatë gjithë kohës. Kjo na bëri shpesh herë të gabonim, të linim pikë të rëndësishme në ndeshje, ndërkohë që duhet t’i kishim marrë ato të plota. Ka pasur edhe gjëra pozitive, pavarësisht vështirësive. Kemi pasur mbështetjen e trajnerit, stafit dhe tifozërisë, që ishin të pranishëm kudo që shkonim.

Pa harruar harmoninë midis lojtarëve. Kjo na bëri të shpëtonim nga ai “hall” ku e futëm veten. Për momentin jam në bisedime me dy ekipe, por nuk kam vendosur asgjë në lidhje me të ardhmen time. Kështu që, nuk dua të bëj diçka publike, gjersa mungon akordi”, deklaroi mesfushori Dejan Andoni.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"