Lushnja u jep fund pushimeve, Tabaku i gatshëm për të vazhduar me verdhejeshilët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2024 | 16:58

Lushnja u jep fund pushimeve, Tabaku i gatshëm për të vazhduar me verdhejeshilët

Pas gati dy muajsh pushim, ose më saktë pas 55 ditësh, skuadra  lushnjare kanë dalë në terrenin stërvitor për të filluar përgatitjet për sezonin e ri futbollistik.

tabaku lushnja

Skuadra e drejtuar nga trajneri Gugash Magani ka zbritur në fushë rreth orës 18:00, ku kanë spikatur emrat e njohur nga sezoni i kaluar si kapiteni Canka, Basha, Ruço, Endri Magani, Disha, portieri Alimuçaj, braziliani Henrike Kuadros, afrikani Romeo Olola, si dhe disa futbollistë të rinj të afruar nga ekipet e moshave të Lushnjës. Ashti siç kishte paralajmëruar më herët kryebashkiakja Sefa, Lushnja edhe këtë sezon do të vijojë të drejtohet nga trajneri Gugash Magani dhe stafi i tij teknik. Kështu, Lushnja po bëhet gati për sezonin e shtatë radhazi në Kategorinë e Parë me shpresën që  edicioni 2024-2025 të jetë i fundit dhe verdhejeshilët të ngjitën në elitën e futbollit shqiptar.

Një nga futbollistët që pritet të rinovojë me Lushnjën është edhe mesfushori Serxhio Tabaku, i cili ishte prezent në seancën e djeshme, që ishte e para në funksion të sezonit të ri. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” mesfushori kryeqytetas pranoi që ndihet mirë te Lushnja, kështu që është i gatshëm për të rinovuar. “Sot (dje)dolëm në stërvitje, ku unë si shumë të tjerë i jam përgjigjur thirrjes së klubit për të zbritur në fushë dhe për të nisur punën. Jam i gatshëm për të rinovuar me ekipin, pasi kam kaluar shumë mirë te Lushnja. Një ambient shumë sportiv, kështu që jam i gatshëm për të nënshkruar sërish me verdhejeshilët”, deklaroi mesfushori Tabaku.

Largimet nuk kanë munguar në kampin lushnjar gjatë kësaj periudhe, të cilët u vërtetuan pasi nuk ishin të pranishëm në fillimin e punës. Matjë Lëru, Xhejms Ajinde, Granit Islami, Oltjan Haremi, Dejan Andoni janë lojtarët që kanë shpallur “divorcin” me Lushnjën. Në vijim priten “goditjet” e merkatos, si dhe detajet e axhendës së fazës përgatitore.

Alban Alushi -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"