Magani merkato te Bylis, merr kapitenin te Trepça ’89
Vitet e fundit, Kosova është shndërruar në një treg tërheqës për futbollistët dhe trajnerët shqiptarë. Fillimisht ishin disa lojtarë që nisën aventurat e tyre të reja në klubet kosovare, ndërsa në sezonin e kaluar nisën largimin drejt Kosovës edhe teknikët shqiptarë. Fillimisht ishte Mirel Josa, për t’u pasur nga Bledi Shkëmbi, Bledar Devolli, Gugash Magani apo Sulejman Starova.
Dhe shumë prej këtyre trajnerëve afruan në skuadrat kosovare që drejtonin shumë lojtarë shqiptarë. Së fundmi, është mbrojtësi Mariglen Shoshi që do të provojë aventurën e tij në kampionatin kosovar. Trajneri i Trepça ’89, Gugash Magani, ka afruar në skuadrën e tij mbrojtësin që në sezonet e fundit ka qenë pjesë e Bylisit.
31-vjeçari ka një eksperiencë të gjatë në kampionatin shqiptar, ku ka luajtur me Apoloninë, Bylisin dhe Tre Fiorin në kampionatin e San Marinos. Që prej 2010-ës, mbrojtësi fierak i është bashkuar Bylisit dhe është shkëputur vetëm për një gjysmësezoni në 2016-2017 ku ka luajtur në San Marino.
Në sezonin e fundit me skuadrën ballshiote, Shoshi ishte titullar i padiskutueshëm dhe në 24 ndeshje shënoi gjashtë gola. Duke parë eksperiencën e gjatë që ka, Magani vendosi ta afrojë në skuadër dhe pritet që të jetë titullar te Trepça. Mësohet se palët kanë arritur akordin për 1 vit dhe lojtari bashkë me Elton Basriun kanë dalë në stërvitje me skuadrën kosovare.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"