Magani, “ultimatum” për merkaton. 50 mln paradhënie Salihit, vendoset më 15 janar
Gugash Magani pret që deri të mërkurën grupi të kompletohet, në të kundërt, sipas tij, do të jetë shumë vonë. Trajneri i Tiranës, në një intervistë të dhënë për mediat pas ndeshjes së dytë miqësore, ka analizuar ekipin dhe ka sqaruar planet e klubit për merkaton. Ai shpreson që mesi i këtij muaji ta gjejë skuadrën të formatuar, pasi fill pas kësaj do të marrë edhe vendimet për largimet e radhës. Sakaq ai sqaron se i duhet ende kohë për të vendosur mbi sulmuesin brazilian, Gilberto.
Tirana barazon me Dinamon, si e gjykon këtë takim Magani?
Sot pata të njëjtën skuadër që luajti edhe të mërkurën kundër Tërbunit. Ajo çka më shqetëson është që bëjmë gabime amatoreske. Ndaj do të ndalem te kjo ndeshje dhe do ta analizojmë deri në detaj. Për të qenë pjesë e Tiranës, një futbollist duhet të mbajë përgjegjësitë e veta. Pjesa e parë në fakt ishte e balancuar, megjithatë kjo gjë më merakos. Pasi nuk është normale që një ekip i Superiores të jetë i barabartë me një të Kategorisë së Parë. Nuk flas për të gjithë lojtarët, por për disa elementë.
Çfarë ju shqetëson më tepër?
Shkojmë para porte dhe nuk shënojmë dot, nuk e kemi atë lojtarin që të na e dërgojë topin në rrjetë. Këtë e kam thënë në fakt gjatë gjithë kohës, e madje do vazhdoj ta them.
Kishit shumë plane për merkaton, por lëvizjet deri më tani janë me pikatore. Çfarë po ndodh në këtë drejtim?
Jemi duke punuar fort, por emra konkretë nuk kemi.
Kur mund të jetë gati skuadra juaj?
Deri nga e mërkura shpresojmë që të jetë gati. Dhe, për të qenë i sinqertë, pasi kemi afruar Likën në portë na duhen të paktën edhe pesë lojtarë. Lojtarë që të bëjnë diferencën.
Sa për batutë, a u kënaqët nga Magani?
Të them të vërtetën nuk e kisha mendjen fare tek ai.
Me Gilberton si do veprohet, bind apo jo?
Akoma nuk kam vendosur. Nuk mund të them se qëndron, por as që largohet. Duhen edhe disa ditë për ta parë. Ai bën disa veprime që të bindin, ndaj dua të jem i sigurt për çdo vendim që do të marr.
Po në këto dy miqësore si ju është dukur, mund t’i vini një notë?
Ka disa cilësi të mira, është një lojtar i fortë, lufton me kokë, veçse ka disa mangësi te goditjet. Nuk e ka nga goditjet në fakt, por nga mungesa e përgatitjes.
Keni thënë se do të ketë largime të tjera, ka ardhur koha që të vendosni?
Po, do të ketë largime, por nuk e kemi luksin në këto momente që t’i komunikojmë. Vetëm kur të bëjmë afrimet, do e jap dhe verdikin.
Me tre mbrojtës do luajë Tirana në kampionat, apo me katër?
Varet nga lojtari që do të vijë në qendërmbrojtje. Nëse do të vijë një i mirë me cilësitë e Dushkut, i cili shkoi në Vlorë, do luajmë me tre, në të kundërt do zgjedhim skemën me katër.
Meqenëse pista e Dushkut ra, ndonjë emër tjetër a keni gjetur?
Jemi në tratativa, por emra s’mund të them. Gjithsesi, prioritet për momentin po i japim ofensivës, pasi aty na duhet me çdo kusht një lojtar. Taianan është në planet tuaja? Gjatë kësaj kohe po shohim shumë elementë, por tani po presim.
Faza përgatitore ku do zhvillohet?
U vendos që do e zhvillojmë në Tiranë, me shpresën që deri të mërkurën të jenë afruar edhe blerjet e reja.
Tirana 50 mln lekë paradhënie Salihit, vendoset më 15 janar
Hamdi Salihi i ka dhënë fjalën Tiranës. Nëse nuk ikën jashtë, atëherë ai do të jetë pjesë e bardhebluve për 5 muajt e ardhshëm të këtij sezoni. Gjithçka mund të quhet e mbyllur deri në këtë pikë, madje data 15 janar do të jetë vendimtare, pasi sulmuesi do të japë përgjigjen finale. Deri dje për llogari të lojtarit nuk ka pasur asnjë zhvillim sa u përket ofertave të huaja, çka do të thotë se situata ka mbetur në vendnumëro dhe se kalimi i tij në kryeqytet duket më i afërt se kurrë. Dëshira e drejtuesve bardheblu është aq e madhe për ta bërë të vetin sulmuesin e Kombëtares, saqë janë të gatshëm t’i japin paradhënie të gjithë kontratën. Jo pak, por 50 milionë paradhënie do të japë klubi i Tiranës për të, e përkthyer ndryshe 10 milionë lekë në muaj. Plus kësaj, klubi do i siguronte edhe akomodimin, si dhe çdo shpenzim tjetër ekstra, mjaft që ai të pranojë të riveshë dhe të kontribuojë për fanellën bardheblu. Tashmë e vetmja gjë që mbetet është që të vijë e mërkura dhe të zbulohet vendimi i shkodranit. Në fakt, ai kishte përcaktuar fillimisht fundin e janarit si kohë për vendimin e tij, por e ka afruar këtë datë në mesin e këtij muaji. Pra, katër ditë larg përgjigjes së Salihit është Tirana dhe, nëse ajo do të jetë pozitive, atëherë bardheblutë do të kishin më shumë siguri në vijën e parë.
Memelli, e hëna vendimtare
Pasi ka zgjidhur kontratën me arabët e Al-Faisalit, Migen Memelli ndodhet në Shqipëri. Sulmuesi pogradecar pritet që të zgjidhë shumë shpejt të ardhmen e tij, ndërsa deri më tani e vetmja gjë e sigurt është që destinacioni do të jetë kryeqyteti. Partizani apo Tirana, kjo dilemë do të marrë zgjidhje të hënën. Mësohet se sulmuesi është në pritje të një përgjigjeje nga drejtuesit e “demave të kuq”. Në bazë të saj, lojtari do të vendosë se ku do të luajë. Një opsion i mirë është edhe kalimi te bardheblutë dhe, sikundër dihet, bisedimet me këtë klub kanë nisur prej muajsh. Megjithatë, duket se data 16 do të jetë vendimtare për të parë zgjedhjen e sulmuesit.
Barazim i varfër kundër Dinamos, derbi mbyllet pa gola
TIRANA-DINAMO 0-0
TIRANA: I.Lika, Pashaj, G.Muça, Vrapi, Kotobelli, Kërçiku, Kalari, Karabeci, Limani, Çota, Gilberto; Trajner: G.Magani. (U aktivizuan: Sorra, Peposhi, Çaushaj, Hoxhallari, Cake Hoxha).
DINAMO: Lamellari, E.Muça, Capa, Beqiri, Tushe, Turtulli, Mersini, Arifaj, H.Tafaj, Pema, Rexhepi; Trajner: D.Mehmeti. (U aktivizuan: Sulçe, Çutra, Magani, Kulli, Ajçe, Sejdini, Pinari Allkanjari, Serjani, Pinari).
GJYQTARË: Edvaldo Dyrmishi (Tiranë)
KARTON I VERDHË: Pashaj
Derbi Tirana-Dinamo mbyllet pa gola. Miqësorja e djeshme e luajtur në orën 14:10, në “Skënder Halili”, është mbyllur në një barazim të varfër. Mbi 200 tifozë të pranishëm në tribunën e këtij kompleksi krijuan idenë e një ndeshjeje zyrtare. Edhe pse në fakt kjo përballje është shumë larg atyre që jemi mësuar të shohim, kjo nisur edhe nga problemet që kanë të dyja skuadrat e kryeqytetit. Lojë e dobët dhe paraqitje jo fort bindëse, kryesisht për bardheblutë, pasi kundërshtari dha sinjale të mira si ekip i Kategorisë së Parë. Pjesa e parë nisi me 11-shet më të mira në të dyja kampet dhe të dyja skuadrat zhvilluan një lojë të balancuar, pa diferenca të mëdha. Rastet ishin të shumta nga ekipi i Maganit, mirëpo sa pasaktësia para porte e sulmuesve, aq edhe shtylla u bënë pengesë në disa episode të pastra. Sakaq, Dinamo e drejtuar nga Mehmeti u shfaq e mirëvendosur në fushë, ndonëse tepër e ngadaltë në rastet që i jepeshin. Ky fraksion u mbyll pa gola, ndërkohë që i dyti nisi me shumë ndryshime në 11-shet përkatëse. Dinamo bëri mjaft eksperimente. Ua dha mundësinë një numri të konsiderueshëm lojtarësh, ndër të cilët ranë në sy ata të afruar rishtas si Sulçe, Çuta e A.Magani. Te Tirana ndërkaq stafi teknik i kishte sytë te braziliani Gilberto, i cili zhvilloi dje provën e dytë. U paraqit mirë, ndonëse ende nuk e ka bindur Maganin. Mirëpo edhe pse sulmet e kundërsulmet nuk munguan, goli nuk erdhi deri në minutën e 90-të dhe ndeshja u mbyll 0-0.
Mehmeti – Dritan Mehmeti, trajneri i Dinamos, në fund të ndeshjes tha: “Jam i kënaqur me atë çka skuadra dha në fushë. Provuam disa lojtarë, por shoh ende nevojë për një sulmues. E kam theksuar edhe me parë që drejtuesit, edhe pse disi larg, janë pranë skuadrës. Mendoj se gjatë javës do të kemi ide më të qarta për grupin, shpresoj që të ngjitemi”. Sakaq, të hënën skuadrës do i bashkohen në stërvitje Jozef Thana dhe Klodian Sulollari.
ADELA MERKO