Maget mes Italisë dhe Spanjës, mesfushori i Partizanit anon më shumë nga…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2024 | 8:42

Maget mes Italisë dhe Spanjës, mesfushori i Partizanit anon më shumë nga…

Maget Gueje po luan ndeshjet e tij të fundit si lojtar i Partizanit. Senegalezi ka edhe një vit nga kontrata e tij me klubin nënkampion dhe drejtuesit janë të detyruar ta shesin këtë verë për të përfituar para prej tij.

maget

Për 21- vjeçarin interesi dhe ofertat nuk kanë munguar, madje kanë qenë të shumta. “Panorama Sport” ka publikuar vazhdimisht klubet e interesuara për Maget, që kanë nisur me Vijarrealin apo Deportivo La Korunjën në Spanjë, për të vijuar me CSKA Sofje, Osijekun dhe së fundmi italianët e Venecias, të cilët sapo janë kthyer në Serie A. Pas lajmeve të publikuara nga ana jonë, së fundmi edhe “La Gazzetta dello Sport” ka përforcuar tezën e kalimit të mundshëm të Maget në Serinë A te Venecia. Prestigjiozja italiane shkruan se Venecias i kanë dështuar dy operacione në mesfushë dhe emri i radhës që po ndiqet mësohet të jetë Maget. Para pak ditësh u raportua nga ana jonë se skautë të Venecias kanë qenë në “Elbasan Arena” për të ndjekur nga afër paraqitjen e senegalezit në ndeshjen kundër Marsaslok. Partizani nuk pranon oferta nën 600 mijë euro për 21- vjeçarin, që vjet shpërtheu me fanellën e kuqe.

PREFERENCA – Në një shitje, përveç marrëveshjes mes klubeve, në mes është edhe dëshira e lojtarit dhe Venecia në këtë rast do të duhet të mposhtë joshjen e lojtarit nga futbolli spanjoll. Pak muaj më parë Vijarreali i ofroi Magetit mundësinë e bashkimit me ekipin e dytë e më pas në progres me skuadrën e parë, por lojtarin nuk e bindi paga dhe projekti. Nga ana tjetër, paralel me Venecian, Deportivo La Korunja ka bërë një ofertë zyrtare në drejtim te Partizanit.

Klubi spanjoll, pas disa sezonesh të vështira në ligat e ulëta, në edicionin e shkuar arriti të siguronte ngjitjen në La Liga 2. Projekti është kapërcimi në La Liga dhe rikthimi në kohët e lavdishme. Maget nga ana e tij ndjen se mund të përshtatet më shumë me futbollin spanjoll për shkak të lirshmërisë që kërkon në fushë. Për më tepër agjenti i tij është spanjoll dhe këshillimi për lojtarin me siguri ka më së shumti “doza iberike”. Partizani nga ana e vet është në situatë pritjeje dhe me siguri pas Europës do të duhet të pranojë një nga ofertat e mbërritura.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"