Mareska është i katërti më i shtrenjtë, ja sa milionë paund i kanë kushtuar Çelsit trajnerët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2024 | 13:59

Mareska është i katërti më i shtrenjtë, ja sa milionë paund i kanë kushtuar Çelsit trajnerët

Është zbuluar shuma e konsiderueshme e parave që Çelsi ka shpenzuar për të sjellë trajnerë të ndryshëm që nga viti 2000.

skysports-enzo-maresca-football_6180575

Blutë emëruan Enco Mareskën të hënën në stol, teksa kërkuan trajnerin italian nga Lestëri pasi ai udhëhoqi “dhelprat” drejt titullit kampion në Championship. Mareska bëhet trajneri i 19-të që drejton Çelsin që nga nisja e shekullit, me disa emra të mëdhenj që kanë zënë vendin e nxehtë në “Stamford Bridge”. Për të siguruar shërbimet e ish-mesfushorit të Juventusit, Seviljes dhe Uest Bromuiçit nga Lestëri, blutë e Londrës paguan 10 milionë paund si shifër kompensimi për t’i prishur kontratën. Kjo e dërgoi shpenzimin e tyre total për pagesa klauzolash për menaxherët në 55.5 milionë paund nga viti 2000 deri në ditët e sotme dhe Mareska u bë blerja e katërt menaxheriale më e shtrenjtë e të gjitha kohërave në këtë proces.

Kalimi i Graham Poterit në “Stamford Bridge” nga Brajtoni është i dyti në këtë listë, pas transferimit të Julian Nagelsmanit për 21.9 milionë paund nga RB Lajpcigu drejt Bajernit të Mynihut. Çelsi shpenzoi 21.5 milionë paund si kompensim për Poterin dhe disa pjesëtarë nga stafi i tij në shtator 2022. Ndërkohë, aventura jo e suksesshme e Andre Vilas-Boashit në “Stamford Bridge” nuk erdhi pa kosto, pasi blutë kishin shpenzuar 13.3 milionë paund për ta larguar atë nga Porto.

VilasBoash nuk ishte trajneri i parë portugez që ndërroi klubin e Primeira Liga me Çelsin, me Zhoze Murinjon që arriti në këtë mënyrë për aventurën e tij të parë në 2004. Megjithatë, në atë kohë flitej se Murinjo erdhi pas një marrëveshjeje relative, pasi Çelsi kishte shpenzuar vetëm 1.7 milionë paund për ta transferuar atë nga Porto. Vitet e fundit, Mauricio Sarri kushtoi 5 milionë paund kur mbërriti në klub nga Napoli, megjithëse londinezët arritën të rikuperonin 10 milionë paund si kompensim kur italiani iu bashkua Juventusit vitin pasardhës. Në një moment tjetër, rikthimi i Frenk Lampardit si menaxher nga Derbi i kushtoi Çelsit 4 milionë paund, me ish-mesfushorin dhe ikonën e klubit që qëndroi 18 muaj në këtë rol.

Gjithsesi, Çelsi arriti të ishte më i kursyer në emra të tjerë. Emërimet e Klaudio Ranierit, Avram Grantit, Gus Hidinkut, Karlo Ançelotit, Rafa Benitezit, Roberto Di Mateos, Zhoze Murinjos për aventurën e tij të dytë, Antonio Kontes, Tomas Tuhelit dhe Mauricio Poçetinos, nuk i kushtuan klubit asnjë qindarkë si kompensim. Rei Uilkins, Stiv Holland dhe Bruno Saltor, gjithashtu kaluan periudha të shkurtra në krye të Çelsit, me kontrata të përkohshme.

GFI

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"