Mario Mijatoviç, Duro merr ish-shokun e ekipit te Kukësi
Afrim surprizë te Kukësi, vjen 35- vjeçari Mario Mijatoviç për sulmin. Kroati me një shtatlartësi prej 1.92 metrash ka dalë dje në stërvitje dhe pritet të firmosë për pjesën e mbetur të sezonit me klubin verilindor. “Panorama Sport” paralajmëroi pak ditë më parë se trajneri Klodian Duro kishte si alternativë për sulmin një ish-shokun e tij kur aktivizohej te Lask Linz në Austri.
Mirëpo, duket se në këtë preferencë, trajneri ka hasur kundërshtinë e drejtuesve, nisur nga mosha e madhe e sulmuesit. Megjithatë, tashmë është fakt i kryer dhe Mijatoviç mund të quhet afrimi i radhës në skuadrën verilindore.
Karriera – Mijatoviç nuk është një lojtar i panjohur, pasi në Kroaci ka bërë karrierë me skuadra të Superligës vendëse si NK Osijek dhe Slaven Belupo. Edhe pse nuk shquhet si një sulmues që shënon shumë gola, kulmin e ka pasur në kampionatin austriak.
Pas aktivizimit në disa ekipe kroate deri në moshën 23- vjeçare, Mijatoviç u transferua në Austri te Lask Linz, klubi ku në sezonin 2010-2011 luajti edhe ish-futbollisti i Kombëtares, Klodian Duro, që tashmë është në detyrën e trajnerit të Kukësit.
Me sa duket, Duro ka ruajtur lidhjet me kroatin dhe duke njohur cilësitë e tij, ka bërë shkesin për ta afruar te Kukësi. Ajo që vihet re në karrierën e Mijatoviçit është se ka ndryshuar skuadër çdo sezon. Aktivizimi më i gjatë ka qenë katër sezone te NK Osijek dhe po kaq te Lask Linz.
Në vitet e fundit, kroati ka luajtur edhe jashtë Europës, pikërisht në Vietnam dhe Iran. Në tre sezonet e fundit sulmuesi është aktivizuar për Kavallën në Greqi, Olimpija Osijek në Kroaci dhe Balmazujvarosh në Ligën e Dytë hungareze, ku ka luajtur 10 ndeshje dhe ka shënuar dy gola
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"