Martinena ose Djilas për sulmin e Tiranës. Çaushaj i kërkon klubit prishje të kontratës
Për Tiranën, merkatoja nuk është mbyllur ende. Synohet një sulmues dhe Argjentina me Serbinë janë dy opsione të mundshme. Nestor Martinena dhe Vladimir Djilas janë dy opsione për sulmin bardheblu. I pari nuk është emër i panjohur, përkundrazi, ai ka qenë në kryeqytet në sezonin 2010-2011, kur luante për llogari të Dinamos. Asokohe ishte titullar i padiskutueshëm, teksa luajti 26 ndeshje dhe shënoi 12 gola. Mësohet se klubi tashmë ka nisur bisedimet me të dhe shihet si një alternativë e mirë, që do të plotësonte edhe kërkesat e vazhdueshme. Argjentinasi së fundi luante te Gimnasia de Jujuy, ku ka zhvilluar 6 takime, por nuk ka shënuar asnjë gol, pjesë që ndoshta mund të jetë shqetësuese. Por një tjetër opsion është ai i Djilas, i cili së fundmi luante për Vozdovas, ekip që milion në Ligën e Parë serbe. Tek kjo skuadër ai është aktivizuar në 29 ndeshje dhe ka realizuar 9 gola. Në të shkuarën ka qenë pjesë e ekipeve si: Bezhanija, Bregalnica Stip, Marek Dupnitsa, Lokomotiv Sofia, Jagodina, Aktobe dhe Ordabasy. Ai është 30 vjeç, por kjo pjesë nuk shihet si shqetësim. Megjithatë, vetëm njëri prej tyre mund të afrohet. Pasi Tirana ka nevojë vetëm për një lojtar pykë, duke qenë se tashmë ka afruar Morinën dhe Gilberton. Megjithatë, fakti që ky i fundit nuk ka bindur, ndonëse ka nënshkruar një kontratë, klubi e ndien të nevojshme që të ndërhyjë sërish për sulmin. Vetë trajneri i bardhebluve, Gugash Magani, e konfirmon një gjë të tillë. Në një deklaratë të dhënë për mediat një ditë më parë, tekniku ka analizuar gjendjen e skuadrës, blerjet e fundit, si dhe pritshmëritë. “Ekipi po pëson rritje nga dita në ditë dhe me afrimet e fundit po merr formë, këtu përmend Kahatën dhe Koreshin. Megjithatë, merkatoja nuk mund të quhet e mbyllur, pasi kemi ende nevojë për afrime, sidomos në sulm. Gilberto nuk është në formën e tij më të mirë, çka na detyron të bëjmë tjetër afrim për vijën e parë. Po punojmë në këtë drejtim dhe shpresojmë të gjejmë të duhurin”, – tha Magani.
Largohet Çaushaj, i kërkon klubit prishje të kontratës
Ilirjan Çaushaj nuk do të jetë më pjesë e Tiranës. Mesfushori ka kërkuar një ditë më parë prishje të kontratës me bardheblutë dhe klubi e ka pranuar një gjë të tillë. Fill pas miqësores me Elbasanin, ku lojtari ishte lënë në tribunë, ai ka komunikuar me trajnerin Gugash Magani dhe i ka bërë me dije vendimin e tij, ndaj që prej ditës së djeshme nuk ka qenë më as i grumbulluar. Nisur edhe nga afrimet e shumta në mesin e fushës, tekniku nuk ka kundërshtuar. Kujtojmë që Çaushaj u afrua në fillim të këtij sezoni te bardheblutë, pasi u shpall kampion në Korçë me Skënderbeun. Mësohet se lojtari ka një opsion për të lëvizur jashtë, gjithsesi ende nuk ka asgjë konkrete. Ndonëse nuk përjashtohet mundësia që të luajë në ndonjë ekip tjetër të Superiores.
Klubi me sytë nga faksi, presin gjobën
Borxhet mbeten një shqetësim konstant për Tiranën. Gjyqet e humbura dhe faturat e larta financiare që u detyrohen shumë ish-lojtarëve kanë krijuar një gjendje ankthi në klub. Këta të fundit janë me sytë nga faksi, duke qenë se nga momenti në moment pritet që t’u vijë një penalitet. Paralajmërimet për likuidimin e Kameron Heple kanë qenë të vazhdueshme, ndaj pritet që FIFA të sjellë një gjobë prej 5 mijë frangash. Klubi i detyrohet jo pak, por 67 mijë dollarë mesfushorit nga Bahamas. Këto parà duhet që të dërgohen në llogarinë e Kameron Heple në kohë, në të kundërt, do të jenë ndërkombëtarët që do futen në lojë.
Kontrata e Kahatës, akord për 3 mijë € në muaj
Francis Kahata pritet që të firmosë me Tiranën. Pasi ka arritur akordin në parim, tani mbetet vetëm që të nënshkruajë një kontratë 6-mujore, por me opsion rinovimi me Tiranën. Mesfushori kenian, i cili mbërriti në kryeqytet vetëm të martën mbrëma, me paraqitjen e bërë në miqësoren me Elbasanin ka bindur stafin teknik. Për pasojë, klubi ka nisur menjëherë përpilimin e kontratës. Mendohet se lojtari do të përfitojë 3 mijë euro në mua, pa përfshirë këtu akomodimin, apo kushtet e tjera. Lojtari i përfaqësueses së Kenias, për mediat afrikane, është shprehur i lumtur për këtë marrëveshje dhe shpreson që të bëjë më të mirën me Tiranën.
ADELA MERKO