Martini: Presim dy lojtarë për të përforcuar Teutën, ja pse zgjodhëm Pukën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2024 | 20:12

Martini: Presim dy lojtarë për të përforcuar Teutën, ja pse zgjodhëm Pukën

Trajneri i Teutës, Edi Martini, është i kënaqur me periudhën përgatitore në Pukë, teksa prej katër ditësh në stadiumin “Ismail Xhemali”, skuadra durrsake po kryen stërvitje dhe njëkohësisht ka zhvilluar miqësoren e parë kundër Vllaznisë U-21 të mërkurën.

martini

“Edhe para katër vitesh kur kemi dalë kampion, fazën përgatitore e kemi bërë në Pukë. Unë jam supersticioz si natyrë dhe shpresoj që të na ndodhi sërish. Kushtet këtu në Pukë janë shumë të mira, duke filluar nga fusha, klima e freskët dhe mikpritja që na është bërë. Është një vend fantastik për të kryer fazë përgatitore dhe po mundohemi të marrim maksimumin”, ka thënë fillimisht Martini në një bisedë për “Panorama Sport”. I ngacmuar për atë që pret ende nga merkato, trajneri theksoi se skuadra është e kompletuar në masën 90 %, në një kohë që deri tani janë afruar emra si Antonio Marku, Ardit Peposhi, Emiljano Vila, Renaldo Torraj, Endri Reçi dhe Geri Selita.

“Pothuajse e kemi të kompletuar skuadrën në masën 90 %. Presim edhe dy afrime të fundit, plus edhe një lojtar nga Egjipti, me të cilin kemi firmosur. Gjithsesi, jemi thuajse në përfundim dhe në kulmin e përgatitjeve. Shpresojmë të bëjmë mirë këtë sezon”, përfundoi Martini.

STËRVITJA – Pas miqësores ndaj Vllaznisë U-21 të mërkurën pasdite, Teuta ka rifilluar nga puna të enjten me dy seancë të zhvilluar paradite dhe pasdite. Dje grupi i lojtarëve ka qenë i plotë në të dyja seancat duke qenë të përkushtuar, njëkohësisht ata po përgatiten për sezonin e ri në superiore. Stërvitja e djeshme, e cila u zhvillua në kushte mjaft te mira dhe zgjati rreth një orë e 20 minuta. Trajneri i Teutës, Edi Martini punoi me ritëm të lartë, me synim të përgatitjes sa më të mirë të futbollistëve të tij, në kuadër të ndeshjes së dytë miqësore.

Fillimisht skuadra ka zhvilluar ushtrime të ndryshme me përgatësit atletik dhe më pas gjithçka është zhvendosur në punën me top. Aspekti tekniko-taktik dhe mbi të gjitha ushtrime të ndryshme në veprime ofensive dhe difensive kanë qenë ne fokusin e trajnerit të Teutës. Përgatitje nisën mirë dhe ekipi do të kërkojë si fillim të arrijë qëllimin për të konsoliduar grupin e me pas të mendojë për kampionatin. Durrsakët shpresojnë që të bëjnë një paraqitje sa në të mirë në sezonin e ri, ndërsa tashmë premtojnë se do të rikthehen sërish të fortë.

Ambiciet e klubit dihet dhe në asnjë moment nuk është janë jashtë asaj që i duhet të luftojnë për objektiva madhorë. Në mbyllje të stërvitjes, Martini u foli futbollistëve për programin stërvitor. Ai kërkon të injektojë besim te lojtarët, duke theksuar se Teuta ka një grup kompetitiv dhe me shumë impenjim, mund të arrijnë gjëra të mëdha.

G. PEMA/Z. QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"