Matjanët ndryshojnë trajektore në merkato, Bicaj: Burreli do të bazohet te tregu vendës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2024 | 15:04

Matjanët ndryshojnë trajektore në merkato, Bicaj: Burreli do të bazohet te tregu vendës

Burreli vijon me pushimet, pasi gjatë javës së shkuar nuk u bë i mundur prezantimi i trajnerit të ri, Ditmar Bicaj. Sipas drejtuesve të sportit në këtë qytet, impenjimi i drejtuesve të bashkisë ka shtyrë prezantimin e tij.

DITMAR BICAJ

Ndërkohë, drejtuesit janë treguar aktivë në merkato, teksa kanë shtuar dukshëm kontaktet me futbollistë të ndryshëm. Këtë gjë e konfirmoi për “Panorama Sport” edhe trajneri Bicaj. “Këtë herë merkaton do ta përqendrojmë më shumë te futbollistët vendës, të cilët do të jenë baza e skuadrës për edicionin e ri. Kemi pasur kontakte të vazhdueshme, por emrat do të bëhen të ditur në një moment të dytë. Përfshirja e futbollistëve të huaj në skuadër do të jetë me pikatore. Në ekip do të përshihen ata futbollistë që bëjnë diferencën”, tha për gazetën trajneri Ditmar Bicaj, i cili mbetet në pritje të zyrtarizimit.

Në programin e hartuar për edicionin e ri, trajneri pohoi se skuadra fazën përgatitore do ta zhvillojë në Burrel. “Rreth datës 15 korrik do të nisim përgatitjet. Programi stërvitor do të shoqërohet me zhvillimin e dy seanca në ditë. Përgatitjet e fazës intensive stërvitore do të shoqërohet me zhvillimin e disa ndeshjeve të kontrollit”, u shpreh në fund trajneri Ditmar Bicaj. Gjatë këtyre ditëve, nga skuadra matjane janë larguar disa futbollistë, ndër më të spikaturit, Kurbneshi dhe Kastrati. Ndërkohë, një pjesë e lojtarëve presin të ulen me drejtuesit e klubit për rinovimin e kontratave.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"