Mavraj: Kjo, ndeshja ime e fundit me Furth
Mërgim Mavraj është larguar zyrtarisht nga skuadra e Grojter Fyrthit. Lajmin e ka bërë të ditur vetë mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, dje, dy orë para se të luante ndeshjen e kthimit të “play-off”-it ndaj Hamburgut, në funksion të ngjitjes ose jo në Bundesligën 1. Për kronikë, kjo ndeshje u mbyll në barazim 1-1 dhe falë golit në fushë kundërshtare (ndeshja e parë në Hamburg përfundoi 0-0), Hamburgu mbetet në Bundesligën 1, ndërsa Fyrthi në Bundesligën 2. Mirëpo, edhe sikur skuadra e tij të ngjitej në elitën e futbollit gjerman, duket se Mavraj e kishte vendosur që të largohej, duke mos e rinovuar kontratën e tij. Përmes një statusi në faqen e vet në “Facebook”, Mavraj shkruante dje para sfidës me Hamburgun: “Ndeshja e fundit me këtë fanellë. Pra, një takim për të mos e harruar kurrë. E lus Allahun për mbështetje!”. Më herët, në mënyrë direkte, i renditur në vendin e dytë të Bundesligën 2, këtë fat e pati Paderborni i Alban Mehës. Ky i fundit uroi që edhe bashkëlojtari tjetër kuqezi t’i bashkohej atij në sallonin e më të mirëve në Gjermani, në mos bashkë me Grojter Fyrthin, personalisht, duke u bërë pjesë e Paderbornit. Sidoqoftë, duket se ka tjetër destinacion e ardhmja e Mërgim Mavrajt. Në Gjermani është Këlni (tani është pjesë e Bundesligës), skuadra që po këmbëngul për ta bërë të vetin kosovarin, ndërsa sinjale ka pasur edhe nga Seria A. Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, nuk e ka fshehur se i pëlqen mbrojtësi dhe do të donte ta kishte pjesë të bardhekaltërve kryeqytetas.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"