Mbrojtësi Disha i shpreh “dashurinë” Lushnjës: Le të jetë sezoni i fundit me vuajtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2024 | 14:51

Mbrojtësi Disha i shpreh “dashurinë” Lushnjës: Le të jetë sezoni i fundit me vuajtje

Lushnja e ka vuajtur shumë pjesën e dëmtimit të lojtarëve në sezonin e fundit, ku padyshim mungesa e tyre u reflektua në rezultatin e disa ndeshjeve në skuadrën e drejtuar nga trajneri Gugash Magani. Qendërmbrojtësi i verdhejeshilëve, Roland Disha, në një prononcim për “Panorama Sport” flet për sezonin që sapo u mbyll te Lushnja.

disha lushnja

Mbrojtësi 25-vjeçar pati dhe një dëmtim të gjatë në prag të pjesës së dytë të sezonit, por u rikuperua dhe i shkoi deri në fund duke shijuar fitoren në ndeshjen shtesë me Ilirinë. “Ky sezon te Lushnja, ishte me plot të papritura, emocione, sakrifica, stres, por edhe lumturi. Në një vit kalova çdo ndjesi të mundshme, pasi ishte një kampionat shumë i vështirë. Ekipi u ndërtua minimalisht për të arritur 6-shen e parë, por për vetë situatat e krijuara, objektivi nuk u arrit. Lushnja nuk e meritonte pozitën në të cilën mbyllëm kampionatin.

Gjatë gjithë sezonit ishim në vend të shtatë dhe nuk e diskutonim pjesën e poshtme. Shikonim vetëm për të arritur ekipet lart nesh, pikërisht pjesëmarrjen në zonën “play off”. Për shumë faktorë, erdhi dhe mungesa e pikëve. Nga fundi i kampionatit u shtua edhe presioni i tyre. Kur u vendos që ekipi do të luajë në “play out”, në asnjë moment nuk e diskutonim pjesën e fitores. E rëndësishme është që u mbyll me sukses ndeshja e fundit me Ilirinë. Uroj shumë që të jetë viti i fundit i Lushnjës në këto pozita”, u shpreh fillimisht mbrojtësi.

Dëmtimi dhe e ardhmja

“Pata një dëmtim goxha serioz, që më la jashtë fushës 3-4 muaj. Me gjithë forcën time punova shumë, për t’u rikthyer sa më shpejt. Për të ndihmuar ekipin dhashë gjithçka, që nga momenti që vazhdova të luaj përsëri, pas dëmtimit që kalova. Për mua ishte një sezon shumë zhgënjyes. Uroj të jetë sezoni i fundit, që unë dhe ekipi luajmë në këto pozita. Është një ambient shumë i mirë, që ka pas vetes një tifozëri të mrekullueshme”, tha mbrojtësi Disha. Duke folur për të ardhmen 25-vjeçari shton:

“Unë kam kontratë 1+1 me klubin me të drejtë rinovimi nga të dyja palët. Po shikoj edhe ofertat që kam, por do të ulem të flas edhe me drejtuesit e klubit për sezonin që vjen, si dhe për objektivat që do të ketë ekipi. Uroj të bëhet një projekt serioz në Lushnjë. Jam ambientuar në këtë qytet, në këtë klub dhe me atë tifozëri të mrekullueshme. Do të më pëlqente të jepja kontributin tim për fanellën verdhejeshile edhe në sezonin e ri”.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"