Mbrojtësi i Skënderbeut: Pres sezon më konkurrues, por unë dhe skuadra jemi gati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2024 | 17:34

Mbrojtësi i Skënderbeut: Pres sezon më konkurrues, por unë dhe skuadra jemi gati

Edhe pak ditë na ndajnë nga nisja e fazës përgatitore të Skënderbeut për sezonin e ri dhe duket se çdo gjë është gati për një tjetër sezon të gjatë.

skenderbeu

Prej ditësh futbollistët e grupit aktual të Skënderbeut kanë nisur përgatitjet individuale për të qenë në formën e duhur në momentin kur do të fillojë ngarkesa e plotë. Një pjesë e mirë e grupit të sezonit të kaluar janë sërish pjesë e Skënderbeut dhe duket se presin me padurim startin e përgatitjeve për të dhënë maksimumin. I tillë është rasti i Klevis Shaqes, mbrojtësit të majtë të Skënderbeut, i cili në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ka folur rreth përgatitjeve dhe ambicieve për sezonin e ri. Për Shaqen kalimi tek Skënderbeu dhe performanca e sezonit që u mbyll ka qenë një ëndërr e bërë realitet, prandaj edhe për këtë ka vendosur që të jetë sërish pjesë e këtij ekipi për sezonin e ri.

“Unë kam dalë nga ky klub dhe jam shumë i lumtur që u riktheva të jem pjesë e këtij ekipi në sezonin e shkuar. Normalisht, kjo për mua është diçka që nuk kam për ta harruar lehtë, pasi më dhanë mundësinë të jem në futbollin elitar në Shqipëri. Ka qenë një sezon i vështirë, por duhet të jemi gati për sezonin e ri, pasi do të jetë akoma edhe më shumë impenjativ. Ajo që më shkon në mendje për momentin është që të punoj më shumë dhe të rritem në nivelin personal, pasi e ndiej që do të ketë një konkurrencë më të madhe këtë sezon dhe angazhimi duhet të jetë gjithashtu më i madh. Prandaj edhe për këtë, kam nisur punën prej disa javësh, me qëllim që të kem formën e duhur kur të fillojnë përgatitjet sezonale. Do të shpresoj që gjithçka të ecë mirë në aspektin fizik dhe të jem gati për këtë sezon që na pret. Nuk besoj se për mua konkurrenca do të jetë një problem, madje jam i mendimit se do të jetë diçka shtesë, që do të na ndihmojë që të rritemi akoma edhe më shumë në çdo aspekt”, theksoi Klevis Shaqe.

PËRGATITJET – Skënderbeu do t’i nisë në 1 korrik përgatitjet për sezonin e ri dhe zyrtarisht do të shihet më qartë se çfarë përbërje do të ketë ekipi për sezonin e ri. Veç katër largimeve të zyrtarizuara tashmë, nuk ka asnjë ndryshim tjetër në grupin e lojtarëve që mbyllën sezonin e kaluar.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"