Mbushen arkat e kampionëve/ Buzëqesh Interi, sponsori i ri sjell 120 milionë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2024 | 23:29

Mbushen arkat e kampionëve/ Buzëqesh Interi, sponsori i ri sjell 120 milionë euro

Tani është zyrtare, edhe pse lajmi ishte në ajër, “Betsson Sport” do të jetë sponsori zyrtar i Interit. Duke nisur nga sezoni i ardhshëm, zikaltrit do të kenë një tjetër sponsor në fanellë. Pikërisht në vitin kur do të ketë 2 risi do të jetë i stampuar ylli i dytë dhe titulli kampion.

BETSSON INTER

Në këtë mënyrë Betsson Sport do të marrë vendin e “Paramount +” për katër sezonet e ardhshme dhe emri i kompanisë në fjalë do të jetë i vendosur në fanellën kryesore të ndeshjeve zyrtare në të gjitha kompeticionet, Serie A, Superkupë Italie, Kupë Italie, Champions dhe Botëror klubesh.

DETAJET- Sipas mediave italiane kjo marrëveshje do të sjellë shumë të ardhura dhe miliona në arkat e klubit zikaltër. Interi do të arkëtojë 30 milionë euro në sezon, teksa sponsori i ri ka filluar që të bëjë lëvizjet dhe 14 milionët e para i ka transferuar në llogarinë e zikaltërve. Zyrtarizimi i lajmit erdhi përmes kanaleve të klubit kampion të Italisë.

“Tani është zyrtare. ‘Betsson Sport’ do të jetë sponsori i ri i Interit. Për katër sezonet e ardhshme, brendi informativ sportiv do të jetë i stampuar në fanellën zikaltër, provë konkret e akordit mes palëve. Kompania ka zgjedhur që të lidhet me zikaltrit duke konfirmuar ambicien, vlerat dhe përkushtimin që karakterizojnë gjithashtu edhe Interin, si brenda dhe jashtë fushës së lojës”, shkruhet mes të tjerash në deklaratë. E rëndësishme është që zikaltrit do të arkëtojnë 30 milionë euro dhe vazhdojnë në këtë mënyrë rritjen dhe përmirësimin e bilanceve.

DEKLARATAT- Stefano Tino, menaxheri i kompanisë për Italinë thotë se kjo marrëveshje e bën Betson krenar. “Jemi realisht shumë krenarë që të zyrtarizojmë këtë marrëveshje. ‘Betsson Sport’ ka mundësinë që të lidhet me një klub që në këtë vit për impenjimin dhe vendosmërinë e kanë çuar te sukseset që të gjithë njohim. Është shembulli perfekt i një skuadre sportive që falë pasionit dhe dedikimit arrin rezultate të rëndësishme.

Të ndajmë fanellën me logon e re të kampionëve është një motiv krenarie. Është një ditë historike për ne”, ka thënë Tino. Në prezantimin e sponsorit të ri ka qenë edhe Alesandro Antonelo. “Jemi të lumtur që gjetëm marrëveshjen. Jemi të lumtur që Betson Sport ka zgjedhur Interin”, ishin fjalët e administratorit të zikaltërve.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"