Mbyllet Kategoria e Tretë/ Këlcyra siguron një biletë për “play off”, Gramozi jashtë loje. Ja verdiktet finale
Mbyllet Kategoria e Tretë. Me dy ndeshje të luajtura dje në Kamzë, ka përfunduar kampionati edhe për Grupin B, pasi A-ja është mbyllur prej kohësh.
Fillimisht zbritën në fushë Albanët-Këlcyra, në një ndeshje që më shumë vlejti si përgatitore për kryesuesit. Mendja e Albanëve është e gjitha te finalja e titullit kampion, që do ta luajnë të dielën me Adriatikun.
Në këtë takim ata kishin ardhur me një formacion miks, ku kombinoheshin “veteranët” dhe të rinjtë 16-18 vjeç. Goli i Shefqet Bonit në minutën e 30- të i gjeti ekipet në pushim të ndeshjes me rezultatin 1-0 për këlcyrjotët.
Në fraksionin e dytë, rezultati thellohet me gola të shënuar nga Balliu dhe Boni që trefishojnë. Elvis Malaj shkurton përkohësisht në 3-1 dhe Shele vulos “pokerin” për ekipin e Robert Spahiut. Vetëm tre minuta më pas Mamutaj shënon golin e dytë për Albanët duke u fiksuar në rezultatin 2- 4. Me këtë fitore, Këlcyra ka siguruar vendin e dytë.
Në orën 14:00 u zhvillua Drini-Gramozi, por që u zhvillua kot praktikisht. Me shkëputjen me 4 pikë të këlcyrjotëve, kolonjarët dolën jashtë loje për ndeshjen shtesë. Ndeshja ishte e qetë dhe pa impresion.
Më së shumti në kërkim të fitores u pa Drini, që donte t’i bënte një mbyllje të bukur sezonit. Por Gramozi, pavarësisht verdikteve, nuk fali, teksa kaloi dy herë në epërsi me Alikon dhe Nuken.
Skuadra e Drinit e gjeti golin me anë të Qefalijës në minutën e 37-të, duke mbyllur pjesën e parë me rezultatin 2- 1. Në fraksionin e dytë, Drini gjen forcën për ta përmbysur rezultatin, teksa shënon tre gola me autorë Rruçin në të 68- ën me penallti, Mejdani në të 79-ën dhe Qefalija në të 89-ën duke i dhënë fitoren 4-2 ekipit të tyre.
VERDIKTET – Ky kampionat këtë edicion ishte disi “lëmsh”, por më në fund u dhanë edhe verdiktet finale. E vetmja gjë që do të mësojmë tashmë, është kampionia e Kategorisë së Tretë dhe ajo e “play off”-it që do të ketë një shans për t’u ngjitur. FSHF-ja e ka përcaktuar trashmë axhendën.
Të dielën në orën 13:30 në QKS Kamzë, do të zhvillohet “play off”-i mes Përmetit dhe Këlcyrës, ekipet që u renditën në vend të dytë te të dyja grupet.
Fituesja e këtij çifti, do të diskutojë më pas ngjitjen me Tepelenën e Kategorisë së Dytë. Sakaq, po të dielën, në orën 17:00 do të shpallet edhe kampionia. Në Shtëpinë e Futbollit (FSHF) është përcaktuar që të luhet Adriatiku-Albanët.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"