“Me ne dhe Skënderbeun, një kampionat tjetër”, Danaj, gati për hapin e madh: Tani po që është elitë
Ata që e ngjitën Dinamon në Superi ore janë duke shijuar pushimet, në pritje për të mësuar lëvizjet konkrete të klubit për riorganizimin e skuadrës për Superioren. Disa e kanë më të sigurt qëndrimin, ndërsa të tjerë ndoshta jo, por situata do të jetë e qartë në vazhdim, kur të bëhen edhe blerjet që drejtuesit e Dinamos synojnë.
Në një kohë të tillë, vëmendjen e merr gjithmonë merkatoja. 22-vjeçari Redon Danaj ishte një nga protagonistët e sezonit të fundit me blutë. Lezhjani, i aktivizuar në mesfushë dhe në sulm, shënoi 5 gola për Dinamon, duke qenë i treti shënues më i mirë në skuadër pas Denisonit dhe Taulant Markut. Ishte një sezon pozitiv për të, edhe pse ndonjë dëmtim nuk e lejoi të jepte më të mirën.
Duke llogaritur edhe kampionatin e mëparshëm me Besëlidhjen, ku shënoi 17 gola, duket se ka ardhur momenti që lezhjani të bëjë hapin e madh në karrierë, duke luajtur në Superiore me Dinamon. Ky është shansi ideal dhe Danaj e di mirë këtë gjë.
“Po, ky është momenti i duhur për të bërë hapin e madh, për të luajtur në Superiore me një skuadër të madhe si Dinamo. Jam gati dhe besoj se do ta përballoj këtë sfidë, o tani, o kurrë siç thuhet në këto raste.
Fokusi është përpara, nuk ka nevojë të komentojmë ende kampionatin e fundit. E kemi thënë shpesh se mund të bënim më mirë, që Dinamo ta siguronte më parë Superiore. Gjithsesi, objektivi u arrit dhe e rëndësishme është ajo çfarë do të bëjmë në nivelin më të lartë të futbollit”, ka thënë fillimisht Danaj për “Panorama Sport”.
SUPERIORJA, NDRYSHE ME NE
Redon Danaj është mjaft entuziast për sezonin e ri. Pavarësisht vështirësive dhe rivalitetit, ai mendon një Dinamo kompetitive mes më të mirëve.
“Tani po që është Superiore, edhe me Dinamon brenda saj. Respektoj dhe vlerësoj çdo skuadër të futbollit shqiptar, por me ngjitjen e Dinamos dhe Skënderbeut, që bashkë bëjnë 25 tituj kampionë, do të jetë ndryshe besoj.
Dhe Dinamo kam shumë besim se do të rikthehet siç e meriton, me një skuadër të fortë, që mund të bëjë gjëra të mira. Por më mirë të mos nxitohemi dhe t’ia lëmë kohës gjithçka. Ajo që dua të theksoj është se do të bëjmë gjithçka në fushë për ta çuar Dinamon aty ku ajo e meriton. Mendoj se klubi do të bëjë më të mirën për ekipin e ri.
Patjetër që kërkohen edhe përforcime, tani të presim dhe të shohim”, përfundoi futbollisti lezhjan, i cili në sezonin 2020-2021 ka qenë pjesë e Kastriotit në Superiore, por pa mundur të luajë asnjë minutë në elitën e futbollit shqiptar.
FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"