“Me vendin e katërt shkojmë në Europë”, Lorenco Vila në “Panorama TV”: Edhe me Partizanin si ndaj Tiranës, titullin e vendos derbi
Lorenco Vila ka qenë protagonist i fitores së kësaj jave të Teutës ndaj Tiranës, duke ndalur kryesuesit e kampionatit. Një fitore për renditjen, por edhe si shpagim për humbjen e pak ditëve më parë në Kupën e Shqipërisë përballë bardhebluve, siç ka treguar sulmuesi i Teutës në një intervistë për emisionin “Panorama Sport” në “Panorama TV”.
“Ishte një fitore mjaft e rëndësishme, duke pasur parasysh që disa ditë më parë patëm disfatë në ndeshjen e Kupës. Por këtë herë në shtëpinë tonë u treguam mjaft mirë dhe ia arritëm të fitonim,
Teuta në çdo ndeshe hyn vetëm për të fituar, edhe këtë herë luajtëm vetëm për tri pikët në fushë dhe ia dolëm t’i merrnim. Kur i fiton ndaj Tiranës, gjithmonë morali është i lartë. Për golin falënderoj Çyrbjen, unë kisha vetëm për ta shtyrë topin në portë.
Duke marrë parasysh edhe rezultatet që prodhoi këtë javë kampionati, jemi në luftë për vendin e katërt, për të kapur një vend në Europë. Pas ndeshjes së Kupës, shkojmë në Shkodër dhe ishalla marrim një rezultat pozitiv dhe do të provojmë në çdo mënyrë për të kaluar në Europë.
Në ndeshjen që zhvilluam në Elbasan për Kupë ndaj Tiranës, ekipi nuk kishte grintën e duhur. Në këtë ndeshje në kampionat, duke të pasur parasysh rezultatin e asaj sfide në Kupë, kishte një motivim më shumë për ne që të bënim mirë dhe fitonim ndeshjen në kampionat.
Teuta hyn gjithmonë në fushë për fitore, deri në fund, edhe në ndeshjen me Partizanin, do të bëjmë të njëjtën gjë, është normale. Partizani është një ekip mjaft cilësor, do të shkojmë e bëjmë hyzmetin në çdo takim dhe shpresojmë të kemi sukses.
Përmbysje në Kupë? Të jemi realistë, është pak e vështirë duke pasur parasysh që rezultati është 3-0 në favor të Tiranës. Ne do të provojmë gjithçka dhe mbetet për t’u parë.
Këtë sezon kam bërë mjaft mirë, në ndeshjet e fundit kam arritur të shënoj katër gola. Jam i kënaqur me paraqitjet e mia, shpresoj që të bëj edhe ndeshjet e mbetura siç kam bërë të gjithë kampionatin. Sa më shumë gola të bëj, aq më mirë, por nuk dua të jap parashikim se nuk më ecën mbarë.
Trajneri Martini me ne ka qenë i kënaqur. Në disa ndeshje edhe ne kemi pasur luhatjet tona. Kemi arritur të bëjmë mjaft mirë me profesor Martinin dhe është i kënaqur me ne.
Kush e fiton titullin? Derbi do vendosë shumë se kush do të dalë kampion. Është shumë e vështirë për të bërë parashikim se kampionati ka qenë shumë i ngjeshur, ekipet kanë qenë aty-aty, por të shohim.
Kundërshtari më i fortë për ne të them të drejtën ka qenë Laçi se ka arritur të na marrë katër fitore kundër nesh.
E ardhmja? Kam menduar të lëviz, por këtë e ka në dorë presidenti dhe ia kam lënë në dorë atij. Kam qejf të vazhdoj karrierën në ekip jashtë, por gjithmonë nuk i dihet, të presime të shohim”, tha ndër të tjera Lorenco Vila.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"