Mehmeti-Lame, Kamza tani me sytë nga të rinjtë
Trajneri i Kamzës, italiani De Vekis, ka filluar të mendojë për sezonin e ri. Kjo, për faktin se dje tekniku ka aktivizuar edhe dy lojtarë të rinj të talentuar. 18-vjeçarët: Xhuljo Mehmeti dhe Luarts Lame luajtën për herë të parë ndaj Shkumbinit dhe tanimë shpresojnë që të integrohen në skuadër, për të dhënë kontributin e tyre. Për “Panorama Sport” këta dy futbollistë na përshkruan se si e përjetuan këtë moment historik të jetës së tyre.
Xhuljo Mehmeti – Ka lindur në Kamzë më 29.12.1993. Që në moshën 10 vjeç ka filluar të stërvitet me ekipet e grupmoshave të Kamzës dhe më pas ka qenë aktivizuar në kampionatin e të rinjve U-17, ndërsa këtë sezon luan me ekipin e FC Kamza U-19 dhe stërvitet nga trajneri Fatmir Tarja. Është aktivizuar në 24 ndeshje dhe ka shënuar 9 gola. “E kisha ëndërruar këtë ditë. Që kur isha 10 vjeç doja të bëhesha futbollist me emër, ndaj kam kërkuar vazhdimisht nga vetja që t’ia arrija kësaj dite. Nuk ka kënaqësi më të madhe për mua sot sesa të aktivizohem me ekipin e parë të Kamzës. Në fillim kërkoj që të aktivizohem vazhdimisht në ekipin e parë. Pse jo mosha dhe fiziku im më detyrojnë që në të ardhmen të jem edhe një lojtar që t’i shërbej atdheut tim, duke qenë pjesëtar në ekipin kombëtar. Pikë së pari dëshiroj ta nis me Kombëtaren e të rinjve U-19”, – është shprehur Mehmeti.
Luarts Lame – Ka lindur në Kamzë më 28.11.1993. Ai është aktivizuar fillimisht me paratërinjtë e Tiranës, më pas me të rinjtë e Kamzës U-17 dhe tani ka luajtur 24 ndeshje me ekipin e U-19, gjatë kampionatit në vazhdim. “Emocionet e mia u pasqyruan që kur trajneri De Vekis vendosi të më aktivizonte në 20 minutat e fundit të pjesës së dytë, duke luajtur si mesfushor i avancuar në krahun e majtë. Paraqitja qe e mirë, megjithëse edhe terreni me shi nuk na lejoi që ne të tregonim vërtet talentin tonë. Gjithashtu vlerësoj shumë punën që trajneri Italian De Vekis po bën për zbulimin e talenteve të reja tek ekipet e të rinjve, sepse shumë prej këtyre trajnerëve të ekipeve të të rriturve në shumicën e rasteve nuk e bëjnë në Shqipëri. Gjithashtu më vjen keq për shumë bashkëmoshatarë të mitë, të cilët kur mbushin moshën 19 vjeç nuk gjejnë hapësirat e nevojshme për t’u aktivizuar me ekipet e të rriturve dhe këtu merr fund karriera e tyre”, – ka thënë lojtari.
Humbja/ Tani shpresohet te “play-out”-i
Pas humbjes 3-1 në Peqin, skuadra e teknikut italian De Vekis përfundimisht nuk ka më shpresë për të mbijetuar, pasi është ngushtuar rrezja për kapjen e vendit të 9-të, që ishte ideali për skuadrat që mbijetojnë. Por, nga ana tjetër, ata janë siguruar tashmë se nuk do të dalin direkt. Skuadra mendon ekipin e Kategorisë së Parë që do të ndeshet në “play-out”. De Vekis është optimist se do t’ia dalë dhe se ekipi i tij do të qëndrojë në Superiore. Premton se sezonin e ardhshëm do të ndërtojë një skuadër të fuqishme dhe me synime konkrete. Dje skuadra ka bërë pushim dhe sot në orën 15:00, pranë kompleksit sportiv të Kombëtares, do të zhvillojë seancën e parë në prag të ndeshjes ndaj Laçit.
Abdulla Dushku