Memushi bëri maksimumin, tani po organizohen si klub europian”. Flamurtari, Saimir Haxhiu: Privatizimi mbyll vuajtjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2024 | 11:04

Memushi bëri maksimumin, tani po organizohen si klub europian”. Flamurtari, Saimir Haxhiu: Privatizimi mbyll vuajtjet

Saimir Haxhiu mendon se Flamurtari bëri maksimumin sezonin e shkuar, pavarësisht se nuk u ngjit në Superiore, ku ndikuan shumë arsye. Në  intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Haxhiu komplimenton punën e trajnerit Eqerem Memushi, që sipas tij është nga ata njerëz që po t’i vendosësh një krevat në stadium, fle edhe aty.

saimir haxhiu

Ai përgëzon klubin për mënyrën se si ka nisur punën për sezonin e ri. Haxhiu ka marrë detyrën e re si këshilltar për sportet i kryetarit të Bashkisë së Vlorës dhe në fund flet edhe për procesin e privatizimit të klubit.

Haxhiu, Flamurtari nuk e arriti objektivin as në sezonin e fundit për ngjitjen në Superiore. Cili është qëndrimi juaj?

Nuk u arrit objektivi dhe ky është fakt. Jo e bukur për Flamurtarin, sepse edhe një vit do të jetë në Kategorinë e Parë, që do të thotë të luash në nivele më të ulëta. Njerëz nuk afron dot më shumë se sa në Superiore që t’i kesh në shkallët e stadiumit. Do të jetë një vit i vështirë sërish për Flamurtarin. Duke besuar dhe tentuar që këtë vit ta realizojë atë ëndrrën e madhe, për t’u ngjitur në elitë. Flamurtari dha shkëndija nga fundi për të bërë një gjë të mirë, por nuk ndodhi.

Pse dështoi Flamurtari duke mos e arritur elitën?

Ishin shumë arsye. Kampionati ka një specifikë, dy ekipe ngjiten direkt dhe 4 në “play off”. Flamurtari bëri gabime gjatë rrugës, që i kushtuan për të mos u renditur në dy vendet e para. Mendoj se patëm edhe probleme me gjykimin, ku në ndeshje vendimtare ishin për ta rënduar Flamurtarin. U bën bashkë këto gabime, pasi nga ana sportive u bënë përpjekjet si me futbollistët ashtu edhe me financat, si dhe me  gjetjen një trajneri të aftë kur u bë zëvendësimi. Kur vjen puna te “play off”-i, nuk e falte Laçi, që kishin investuar një vit të tërë. Ajo ishte një ndeshje deçizive. Luhej në stadiumin e Laçit dhe gjërat ishin negative, nuk ishin në favor të Flamurtarit për Superioren. Unë mendoj se në elitë shkohet duke synuar dy vendet e para. Po prite “play off”-in, gjërat ndërlikohen dhe bëhen edhe më të vështira.

Si e bëri detyrën trajneri Eqerem Memushi në krye të skuadrës?

Në gjykimin tim, Eqerem Memushi dha maksimumin me atë ekip. Me dijet që ka ai e me përpjekjet e tij maksimale, bëri mjaft mirë. Memushi është nga ata çuna, të cilit po t’i vije një krevat mund të flinte edhe në stadium. Kështu që nuk ke çfarë i thua kësaj pjesës së trajningut. por që të eci një skuadër duhet të bëhen të gjitha gjërat bashkë.

Çfarë këshilloni për të ardhmen duke qenë se është kohë merkatoje?

E vetmja gjë e mirë te Flamurtari është që organizimi fillon si një klub profesionit i madh. Me informacionin që kam, ka zgjedhur drejtorin teknik, i cili do të zgjedhë trajnerin, pastaj do të bëhet edhe skuadra. Impenjimi dhe organizimi është si i një klubi europian. Të shohim cilësinë e lojtarëve që do të afrojnë në skuadër. Ajo varet edhe nga vazhdimësia e Flamurtarit, në vartësi edhe të buxhetit që ka caktuar Idrizi. Më vjen mirë kur fillojnë gjërat me seriozitet, që nga drejtuesit që pastaj përgatiten për të ndërtuar skuadrën. Ata që do të merren me merkaton punojnë për të gjetur njerëzit e duhur për të bërë një skuadër kompakte për sezonin e ri. Angazhimi i tyre është për të gjetur sportistët e duhur, të cilët kanë eksperiencën, si dhe djem të rinj që vrapojnë. Sot futbollin e meritojnë të rinjtë dhe ata që vrapojnë. Po e shikojmë edhe në Europian, ku disa skuadra luajnë me lojtarë eksperience, që më shumë po i shikojmë si emblema në televizor, pasi nuk po japin më.

Kryebashkiaku Ermal Dredha deklaroi se po punohet për privatizimin. Si këshilltar i tij, na thoni diçka për këtë proces?

U bënë kaq vite që diskutohet dhe jemi bashkudhëtarë të bisedave dhe këtyre ngjarjeve për Flamurtarin. Edhe kur isha në Këshillin Bashkiak të Vlorës, kam këmbëngulur për privatizimin. Ka ardhur momenti që klubin ta marrë në dorë një njeri, të cilit i dhemb “xhepi” i tij dhe në fund të dalë mirë me financat. Privatizimi e shëron Flamurtarin dhe ecurinë e tij. Sinan Idrizi vërtetë bënë përpjekjet e tij, bën sikur e ka private gjënë edhe pse e ka në administrim, por kur gjërat janë  zyrtare me letra, sigurisht që do të gjejë njerëzit e duhur për të bërë më të mirën. Kjo është procedura më e mirë që ka zgjedhur bashkia për ta privatizuar. Uroj që të ndodhë këtë vit dhe të mos zgjatet më kjo vuajtje kaq e madhe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"