Merkato me “silenciator” te Skënderbeu, drejtori Gjançi: Gati katër afrime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2024 | 21:06

Merkato me “silenciator” te Skënderbeu, drejtori Gjançi: Gati katër afrime

Edhe pse pa shumë zhurmë korçarët janë duke punuar për të ndërtuar ekipin e ri për sezonin e ardhshëm. Pavarësisht se deri në këto momente asgjë nuk është zyrtarizuar nga ana e korçarëve drejtuesit e klubit duket se janë angazhuar që të kenë në ekip afrimet e reja që në ditën e parë të përgatitjeve. Diçka e tillë është një fakt tashmë teksa konfirmohet edhe nga drejtori sportiv i Skënderbeut.

ARDI GJANCI

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Ardi Gjançi, arkitekti i Skënderbeut në sezonin e shkuar tregon i rezervuar se korçarët në datën 1 korrik do të prezantojnë katër afrimet e para që do të jenë nën urdhrat e Gvozdenoviç që në ditën e parë të përgatitjeve. Edhe pse nuk ka zbuluar emra, Gjançi bën me dije se do të jenë dy lojtarë shqiptarë që luajnë jashtë vendit dhe dy të huaj që do të vihen nën urdhrat e trajnerit serb të Skënderbeut.

“Pavarësisht se deri më tani nuk kemi treguar shumëçka nga puna jonë në këtë merkato mund të them se Skënderbeu është i qartë në raport me kërkesat që ka në këtë merkato. Jemi duke punuar çdo ditë si në hyrje ashtu edhe në dalje dhe e them se do të kemi rezultate të mira në merkato. Ajo që mund të them për momentin është fakti që deri tani kemi mundur të arrijmë akordin me katër lojtarë që do të bashkohen me ekipin ditën e hënë.

Për momentin nuk mund të zbulojë emra, por mund të them që bëhet fjalë për dy lojtarë shqiptarë që luajnë jashtë vendit dhe dy futbollistë të huaj. Të hënën do të jenë në Korçë për të firmosur kontratën dhe për të qenë zyrtarisht pjesë e ekipit për sezonin e ardhshëm”, theksoi drejtori i Skënderbeut Ardi Gjançi.

LARGIMET – Sa i takon merkatos në dalje Gjançi bëri me dije se për momentin janë vetëm katër lojtarë të larguar zyrtarisht nga Skënderbeu teksa për pjesën tjetër bisedimet po vijojnë dhe për momentin nuk ka asgjë të re.

“Nga grupi që kemi pasur në sezonin e kaluar zyrtarisht janë larguar katër lojtarë dhe kjo është diçka që dihet tashmë. Ne jemi duke punuar dhe duke biseduar çdo ditë për tratativat e tjera, por për momentin nuk kemi asgjë zyrtare. Bisedimet janë në fazë të avancuar dhe do të mundohemi që të konkretizojmë diçka. Deri në atë moment nuk mund të them asgjë më shumë”, mbylli prononcimin e tij për gazetën drejtori sportiv i Skënderbeut, Ardi Gjançi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"