Merkato në sulm dhe mesfushë, Flamurtari në hall për mbrojtës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2024 | 9:58

Merkato në sulm dhe mesfushë, Flamurtari në hall për mbrojtës

Flamurtari është në hall për mbrojtës. E ndërsa vlonjatët janë në merkato, duket se llogaritë nuk i kanë bërë mirë në lidhje me përbërjen e një prej reparteve më të rëndësishme të skuadrës, siç është mbrojtja.flamurtariNë organikë ata kanë deri tani vetëm tre mbrojtës të mirëfilltë, Fabio Hasaj rinovoi nga sezoni i fundit, si dhe dy afrimet e reja Alesandro Kacbufi, i cili luan si mbrojtës qendre dhe mbrojtësi i majtë Ilir Allmuça. Problematikat në mbrojtje janë shfaqur që pas largimit të dy lojtarëve, të cilët momentalisht nuk janë grumbulluar me skuadrën në fazën përgatitore në Pogradec. Lancinet Sidibe është tashmë i larguar nga Flamurtari, pasi klubi nuk vendosi që të rinovonte me afrikanin. “Panorama Sport” mëson se drejtuesit kanë prishur kontratën me lojtarin, i cili edhe më parë ka qenë pjesë e vlonjatëve.

U tha se Sidibe, nënshkroi një kontratë për dy vite, por u largua nga klubi. Nga ana tjetër, as vlonjati Fjoralb Deliaj nuk është grumbulluar në fazën përgatitore. Vetë Sinan Idrizi e pëlqente Deliajn, teksa tha se do të ishte i pari që do të rinovonte, por deri në këto momente nuk ka ndodhur. As klubi dhe as lojtari nuk kanë deklaruar deri tani “divorcin” mes tyre. Ndoshta kjo javë do të jetë vendimtare për të parë nëse mbrojtësi do të qëndrojë në Vlorë apo do të largohet përfundimisht.

Afrimet e fundit janë realizuar në mesfushë dhe sulm, si Trimror Selimi (sulmues i majtë), Aldrit Oshafi (sulmues qendre), Fernando Armando (mesfushor), Ardit Hoxhaj (sulmues), Hoze Antonio Kobian Ruiz (mesfushor-sulmues i djathtë). Nga ana tjetër mësohet se klubi do të bëjë të tjera përforcime, që i ka të përqendruara po në mesfushë dhe në sulm. Për momentin nuk flitet për mbrojtës të mirëfilltë. Gjasat janë që në këtë repart mund të përshtaten lojtarët që janë momentalisht në skuadër.

AKADEMIA – Trajneri Andrea Agostineli ka grumbulluar në Pogradec disa lojtarë nga akademia, dy prej të cilëve janë mbrojtës. Italiani ka marrë me vete mbrojtësin e qendrës, 19-vjeçarin Klevis Haxhiraj, i cili në sezonin e shkuar ka luajtur te Labëria. Gjithashtu, me skuadrën është edhe 19- vjeçari Daniel Bregova, që luan si mbrojtës i djathtë. Ndoshta Agostineli do të “falet” te këta dy futbollistë. Edhe portieri Bruno Qarri dhe mesfushori Erik Kondaj, edhe ky 19 vjeç, janë grumbulluar nga akademia. Pranë skuadrës së parë janë afruar edhe mesfushori Manuel Harullau dhe Aleksandër Skënderaj.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"