Merkato përqendrohet te sulmi, ish-futbollisti i Teutës në fokusin e… Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2022 | 10:36

Merkato përqendrohet te sulmi, ish-futbollisti i Teutës në fokusin e… Apolonisë

Apolonia po punon në të gjitha drejtimet për të afruar lojtarë cilësorë për sezonin e ri. Sulmi është vetëm një nga repartet ku ka nevojë për ndërhyrje dhe pritet të ketë afrime të rëndësishme.

 

 

basit abdul khalid teuta

Në sezonin që lamë pas, u vërejt mungesa e një lojtari tjetër në qendër të ofensivës. Jeton Krasniqi ishte i vetëm dhe detyrohej në çdo ndeshje të përballonte vetë mbrojtësit kundërshtarë.

Kjo detyron drejtuesit që të gjejnë një partner për të.

Burime jozyrtare për “Panorama Sport” bëjnë me dije se në plane kanë Basit Abdul Khalid. Ganezi është shënjestra e parë në merkaton e bardhejeshilëve.

Sulmuesi nuk është emër i panjohur në Shqipërisë, pasi më herët ka luajtur për Teutën. Lojtari i dalë nga akademia e FC Dreams shihet si një përforcim i mundshëm në repartin ofensiv.

25-vjeçari në sezonin e fundit ka qenë pjesë e Sherif Tiraspolit në kampionatin moldav dhe madje është nën kontratë dhe logjika të çon që fierakët mund ta marrin në huazim.

Khalid shënoi 5 gola në sezonin e fundit me ekipin moldav në kampionat, ku zhvilloi gjithsej 9 ndeshje.

Ai ka një karrierë të pasur futbollistike, pasi ka luajtur në disa ekipe, madje në Kosovë me fanellën e Prishtinës dhe në Shqipëri me fanellën e Teutës.

Khalid mund të provohet në të tria pozicionet e sulmit, sado që qendrën e tij ka më të preferuarën.

Përmes afrimit të 25-vjeçarit, synohet përfundimisht të zgjidhen hallet e sulmit fierak duke ditur që konkurrenca është shtuar shumë në Kategorinë e Parë.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"