Merr fund “telenovela” Latifi, mesfushori shitet në Hungari. Ja sa përfiton Skënderbeu
Dita e djeshme ka qenë shumë e nxehtë sa i përket merkatos së Skënderbeut. Në një kohë kur skuadra po bën edhe afrimet e fundit për të plotësuar njëherë e mirë boshllëqet, ka ardhur edhe lajmi që ka tronditur në njëfarë mënyre trajnerin Ilir Daja, por edhe gjithë ambientin bardhekuq. Ylli i skuadrës bardhekuqe, Liridon Latifi, është thuajse i larguar nga skuadra.
“Panorama Sport” mëson se mesfushori kosovar ka arritur akordin me ekipin hungarez, Pushkash Akademi. Kjo skuadër është ngjitur sezonin që sapo u mbyll në elitën e futbollit hungarez dhe po bën investime serioze për të kapur majat në futbollin e këtij vendi. Siç mësohet, Pushkash e konsideron Latifin si një nga pikat e referimit për të ardhmen.
Burime të gazetës pranë klubit mësuan se për Latifin janë ofruar 1 milion euro dhe kjo ka bërë që drejtuesit e Skënderbeut, por edhe vetë futbollisti të pranojë menjëherë. Akordi në parim është arritur dhe tashmë mungon vetëm zyrtarizimi. Latifi do të luajë me Skënderbeun edhe dy ndeshjet e mbetura kundër Dinamos së Zagrebit dhe, më pas, do nisë aventurën e tij të re në Hungari.
Mësohet gjithashtu se klubi korçar do të vijojë të zotërojë 20% të kartonit të Latifit duke shpresuar se në të ardhmen ky futbollist do shitet akoma më shtrenjtë.
MUNGESA
Dje skuadra e Skënderbeut është rikthyer në stërvitje pas një ditë pushimi. Ilir Daja bashkë me futbollistët dhe stafin janë duke u përgatitur në kuadër të ndeshjes me Dinamon e Zagrebit. Ajo që binte në sy ishte mungesa e Liridon Latifit. Futbollisti kosovar nuk ishte bashkë me grupin në këtë seancë stërvitore.
Pavarësisht se pjesëtarë të stafit nuk jepnin shumë detaje për mungesën e tij, “Panorama Sport” mëson se Latifi dje ka qenë në Hungari për të mbyllur detajet e fundit të transferimit të tij te skuadra e Pushkash Akademi. Ditën e sotme ai pritet të kthehet sërish në Korçë për t’u vënë nën urdhrat e trajnerit Ilir Daja, por fakt konkret është se Latifi tashmë e ka mbyllur aventurën e tij te Skënderbeu.
LLAZI SARO
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"