Merxha trajner provizor, Elbasani sot drejt Strugës. Erioli: Pranova me kënaqësi ftesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2024 | 9:27

Merxha trajner provizor, Elbasani sot drejt Strugës. Erioli: Pranova me kënaqësi ftesën

Elbasani niset sot për fazë përgatitore në Strugë të Maqedonisë së Veriut, një javë pasi ka startuar edhe përgatitjet.dede merxhaAjo që bie në sy është mungesa e trajnerit, ku pas largimit të Nevil Dedes, ende nuk kanë gjetur pasuesin e tij. Ndonëse u mendua që do të ishte një mision i lehtë gjetja e një timonieri dhe brenda javës do të ishte bashkuar me skuadrën, ka rezultuar një gjetje e vështirë, edhe për faktin se drejtuesit duan që ai të jetë i huaj. Gjatë fazës përgatitore, ai që do të drejtojë elbasanasit do të jetë provizorisht Eriol Merxha, i cili ka pranuar ftesën e klubit për t’i ndihmuar në këtë situatë, deri në gjetjen e trajnerit të ri.

TESTI Të shtunën, verdheblutë kanë bërë një test brenda shtëpisë, për të parë prurjet e reja, si edhe lojtarët e moshave që u janë bashkuar për të parë nëse ndonjë prej tyre do të kalojë klasën për t’iu bashkuar ekipit të parë. Merxha fillimisht hodhi në fushë skuadrën që për momentin konsiderohet titullare përballë rezervave, ndërsa në pjesën e tretë erdhi radha e të rinjve për të treguar veten.

ERIOL MERXHA Në fund të këtyre ndeshjeve brenda grupit, një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Eriol Merxha pohoi se është në këtë pozicion provizor, duke evidentuar se në klub ka disa elementë pozitivë nga pjesa e akademisë, që duhet të merren në konsideratë.

“Mu kërkua të jem pjesë e klubit në këto momente dhe e pranova me kënaqësi ftesën, pasi e kam thënë më herët që sa herë të jetë nevoja për të kontribuar për klubin unë jam këtu. Jam provizorisht në këtë pozicion, deri në momentin që klubi do të gjejë edhe trajnerin e ri. Sa u përket përgatitjeve të kësaj jave, mund të them që gjendja duket e mirë dhe shoh dëshirë tek lojtarët. Nuk duhet të harrojmë se jemi në fazën e parë të stërvitjes. Mund të them se është kënaqësi të stërvitësh edhe të rinjtë e kësaj akademie, ku besoj se pak e nga pak do të kemi edhe benefitet, pasi shoh që po investohet seriozisht aty”, u shpreh në prononcimin e tij për gazetën tekniku provizor i Elbasanit, Eriol Merxha.

Sezonin e kaluar Merxha ishte ndihmësi i Nevil Dedes, për t’u larguar në fund të sezonit. Mirëpo, si për ironi të fatit ai rikthehet sërish në klub si trajner i parë, edhe pse provizorisht.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"