Mesfushori i Bylisit: Jemi grup solid dhe i talentuar, do të bëjmë surprizën në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2024 | 9:25

Mesfushori i Bylisit: Jemi grup solid dhe i talentuar, do të bëjmë surprizën në Superiore

Marin Abazaj në sezonin e shkuar ka treguar një performancë shumë të mirë me Bylisin. Pogradecari është prej dy vitesh pjesë e Bylisit, ku pasi luajti si titullar në elitë, vjet ishte protagonist me gola të shënuar në sfida të rëndësishme.

MARIN ABAZAJ BYLIS

Në një prononcim për “Panorama Sport”, mesfushori difensiv, tashmë që Bylisi është në prag të sezonit të ri futbollistik, ka pohuar: “Në aspektin personal, sezonin e shkuar do ta quaja mjaft të mirë, sepse luajta si titullar dhe më është besuar edhe shiriti i kapitenit në skuadër. Por arrita që të shënoj edhe gola dhe më kryesorja, ne realizuam qëllimin, që ishte rikthimi në Superiore. Tashmë përgatitemi për një sezon akoma më të fortë, sepse kampionatin e pres shumë të fortë, sepse janë thuajse të gjitha ekipe me shumë eksperiencë dhe traditë në Superiore dhe me pretendime madhore. Jemi në kohë, sepse më përjashtim të ekipeve që luajnë në Europë, të tjerët janë me pushime. Personalisht stërvitem dy herë në ditë. Bylisi ka një avantazh në krahasim me disa ekipe. Jemi disa lojtarë që luajmë prej më shumë se dy vitesh së bashku dhe kjo mendoj se do të na e bëjë më të lehtë. Jam unë, Beqaj, Maçolli, Ruçi, Kasaj, Kamara, Emini apo dhe Peralta, Felipe Souza e Papa. Natyrisht që duhet edhe merkato, por kemi edhe shumë të rinj të talentuar që jam i bindur se një pjesë e tyre mund të luajnë shumë mirë në Superiore, pasi jo më kot janë kampionë dhe fitues të Kupës së Shqipërisë. Unë e deklaroj më bindje se duke parë synimet që ka klubi, Bylisi do të jetë surpriza e bukur e Superiores në sezonin e ri”, tha Marin Abazaj.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"