Meto rikthehet tek Apolonia: Skuadra e zemrës, kapim elitën
Apolonia ka fituar ndeshjen e vajtjes së turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Fierakët kanë luajtur në “Gjorgji Kyçyku” të Pogradecit dhe kanë fituar minimalisht 1-0, me gol të shënuar nga mesfushori Ksement Mehmeti. Është ndeshja e dytë zyrtare e këtij sezoni për Apoloninë, luajtur të dyja në transfertë, një për kampionat e një për kupë dhe që të dyja fituar me të njëjtin rezultat, ku bardhejeshilët janë treguar skuadër që nuk fal dhe cinike në kulm.
Pas fitores në Cërrik për llogari të kampionatit, Miho ka bërë plot 4 ndryshime në formacionin bazë për kupë, duke hedhur në fushë qysh nga minuta e parë edhe të riun e talentuar, 17-vjeçarin Zoga. “Duam vazhdimësinë nga ndeshja në ndeshje, të ruajmë frymën e grupit dhe të forcojmë mentalitetin e fituesit. Loja jonë nuk është ngjitur akoma në mundësitë e skuadrës, por dy fitore në dy ndeshje janë pozitive për ne, pasi ndikojnë në psikologjinë e ekipit”, thotë trajneri i Apolonisë.
VJEN AGIM METO Bardhejeshilët e kanë lënë pas “telenovelën Ribaj” dhe kanë bërë një goditje të zgjuar e cilësore në momentet e fundit të merkatos. Pjesë e Apolonisë është bërë mesfushori fierak, Agim Meto, një lojtar me aq përvojë në Superligë dhe Kategorinë e Parë, pasi ka luajtur në të shkuarën për Apoloninë, Bylisin, Flamurtarin, Laçin, Luftëtarin e së fundmi Lushnjën e Superiores. “Jam kthyer në shtëpinë time, te skuadra ime e zemrës, te dashuria ime e parë sportive, pasi ky ka qenë ekipi im më i dashur, edhe kur nuk kam luajtur këtu. Jam rikthyer pas kaq vitesh për të dhënë kontributin tim në objektivat serioze e maksimale që ka ekipi dhe jam i bindur që do t’ia dalim”, thotë ish-kapiteni i Apolonisë, Agim Meto, që rikthehet në Fier pas plot 7 sezonesh.
MEHMETI Gjatë miqësoreve të kësaj vere ka spikatur si shënuesi më i mirë i Apolonisë me 6 gola të shënuar. Por, mesfushori 19- vjeçar fierak duket se e ka marrë seriozisht “raportin” me golin, teksa shënoi edhe në ndeshjen e Kupës në Pogradec. “Pa dyshim që golat në ndeshje zyrtare të japin një tjetër ndjesi, afeksion të veçantë dhe kënaqësi të shumëfishtë kur skuadra fiton. Jam i lumtur për golin e shënuar, por më shumë për startin pozitiv që i kemi bërë sezonit në të dyja kompeticionet, sepse kështu duhet të jetë Apolonia: ekip fitues në çdo ndeshje. Ky është mentaliteti që këmbëngul fort trajneri ynë, por që i shkon përshtat edhe emrit të ekipit tonë”, deklaron mesfushori fierak, Ksement Mehmeti.
Bujar Rama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"