Mezani në debutim: Kishim katër mungesa
Për Gentjan Mezanin, dje ka qenë ndeshja e parë si trajner i ri i Flamurtarit. Ai u emërua zyrtarisht të martën si “timonieri” i të kuqve dhe administratori Idrizi ka thënë se do ta drejtojë ekipin deri në fund të sezonit. Mezani është gjithmonë emri i parë që preferohet për të drejtuar skuadrën sa herë largohen trajnerët që e nisin sezonin me bujë. Kështu ndodhi edhe sezonin e kaluar apo edhe më parë.
Pas takimit të djeshëm, Mezani u shpreh: “Ne e kishim vlerësuar këtë takim, por kishim 4 mungesa. I kisha lënë pushim këta futbollistë pasi primare për ne është kampionati. Loja e të dy ekipeve ka qenë mjaft e bukur dhe e fortë. Barazimi ishte i drejtë për ne. Falënderoj drejtuesit dhe tifozerinë pukjane për mikpritjen”.
Tashmë, e gjithë vëmendja e skuadrës do të përqendrohet në kampionat. Pas largimit të Maganit, Mezani merr përsipër një detyrë jo të lehtë. Fillimisht, do të synohet të rikthehet skuadra te rezultatet pozitive.
D. PEMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"