“Milani im, si një BMW”, Pioli: Deri pak kohë më parë raportoja te Maldini dhe Masara, ndërsa tani…
Dita e katërt e grumbullimit dhe Milani vijon punën në kuadër të sezonit të ri. Fillimisht stërvitje dhe disa miqësore, ndërkohë që nga 21 gushti do të duhet që skuadra të kërkojë seriozisht rezultatet për të mos mbyllur një tjetër sezon pa trofe. Lidhur me të gjithë situatën ka folur në një intervistë për televizionin e klubit vetë trajneri.
Si ju janë dukur djemtë?
Çdo gjë normale, siç edhe duhet të jetë kur kanë kaluar 30 ditë nga takimi ynë i fundit. Me siguri janë të motivuar, por duke qenë se nuk jemi të gjithë, atëherë edhe përgatitjet do të jenë më të plota. Me siguri, të gjithë jemi të vetëdijshëm se na pret një sezon i rëndësishëm.
Si kanë qenë këto ditë të para?
Deri më 20 korrik grupi nuk do të jetë i plotë. Kur të na bashkohen të tjetër atëherë edhe lojtarët e rinj do të kenë mundësi të njihen me dinamikat tona të plota. Uroj që nga tani e deri më 20 korrik, kur të nisemi për turneun amerikan, të kem edhe prurje të reja.
Çfarë po ndodh me merkaton e Milanit?
Situata në të cilën punojmë shkon përtej vetë punës. Roli im në vija të përgjithshme nuk ka ndryshuar. Deri pak kohë më parë raportoja te Maldini dhe Masara, e tani e bëj me Furlanin dhe Monkadën. Edhe drejtuesit më duken të motivuar për të më pajisur me një ekip konkurrues.
Si do ta vlerësonit rrugëtimin tuaj te Milani?
Kanë qenë vite intensive për gjithçka që kemi përjetuar dhe do të përjetojmë. Një sezon i ri nis me të njëjtin entuziazëm dhe dëshirë për të bërë gjithmonë diçka të re. Ishte një sezon i veçantë vitin e kaluar, një sezon me ndryshime, tani duhet t’i rikthehemi punës me pasionin, idetë dhe cilësinë e lojtarëve.
Si është raporti juaj me klubin?
Po, kam folur me zotin Kardinale dhe ai më inkurajon dhe na stimulon për ta bërë një sezon të rëndësishëm. Ne e vlerësojmë afërsinë e tij.
Pas një jave do të nisë turneu amerikan. Çfarë prisni?
Do të ketë shumë ndeshje miqësore që do të na ndihmojnë të gjejmë formën më të mirë. Janë rivalë prestigjiozë, kështu që duhet të përballemi në mënyrën më të mirë të mundshme.
Thuhet se do të ndryshoni skemë. E vërtetë?
Sigurisht që kam diçka në mendje. Sezon pas sezoni analizojmë punën e bërë. Mendoj se do të jetë një verë e gjatë edhe pse për ne trajnerët nuk është diçka e mirë që merkatoja të zgjasë kaq shumë. Megjithatë, shumë nga zgjedhjet e mia do të varen nga karakteristikat e atyre që do të mbërrijnë.
Çfarë do të ndodhë me mesfushën pa Tonalin e Benaserin?
Është e qartë se largimi i Tonalit dhe lëndimi i Benaserit sjellin ndryshime. Nuk do të jetë i vetmi departament ku do të ketë prurje të reja.
Dje u konfirmua partneriteti me BMW-në. Me çfarë shpejtësie duhet të ecë ky Milan?
Ashtu si partneri ynë BMW, ne jemi shumë të ndërgjegjshëm ndaj mjedisit, kështu që tani po i rimbushim bateritë tona për të ecur sa më shpejt që të jetë e mundur, por edhe për të shkuar sa më larg. Përpiqemi të jemi një makinë hibride, e cila nis fort dhe ruan një ritëm të caktuar. Jemi duke u përgatitur mirë për të qenë konkurrues dhe do të përpiqemi të bëjmë më të mirën.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"